OFL zgjedh 4 persona me precedentë penalë në Durrës e Shkodër; U kërkon të deklarojnë pasurinë
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve në Shkodër dhe në Durrës.
Konkretisht, OFL i ka nisur kërkesë shtetasit E. B., banues në Shkodër, për të cilin Gjykata e Lartë e Podgoricës, Mali i Zi, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe eksplozivëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Malit të Zi.
Një tjetër kërkesë i është nisur edhe shtatsit D. B., banues në Shkodër, nën hetim për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Po ashtu OFL kërkon vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë nga shtetasi S. Gj., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”.
Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë u kërkua edhe për shtetasin A. H., banues në Durrës, i dënuar nga Gjyakata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
Fraksion.com