AktualitetRajoniTë fundit

Maqedoni e Veriut: Dy të vdekur dhe 164 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut edhe të premten ka regjistruar shifra të larta të të infektuarve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka njoftuar për 164 të infektuar dhe dy të vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit.

Viktimat janë nga Shkupi dhe Tetova të moshës 53 dhe 60 vjeç, të cilët vuanin edhe nga sëmundje tjera kronike, si sëmundje të zemrës, diabeti dhe tensioni i lartë.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 171 persona, prej tyre vetëm në Shkup janë regjistruar 47 viktima dhe nga 27 në Kumanovë dhe Tetovë.

Sa i përket të infektuarve, nga 164 rastet, vetëm në Shkup janë regjistruar 85 raste, 24 në Kumanovë, 18 në Tetovë ndërsa në 14 qytete tjera numri është më u ulët se dhjetë raste.

Për herë të parë pas gati dy muajve, tre raste janë regjistruar në qytetin e Dibrës, qytet ku u regjistruan rastet e para me koronavirus në Maqedoninë e Veriut.

Gjendja e të infektuarve është stabile, sipas drejtuesve të Klinikës Infektive në Shkup. Në këtë spital aktualisht po trajtohen më shumë se 90 persona.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i personave të infektuar është për rreth 200 më i lartë se i të shëruarve. Prej 3,701 personave që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, tani raste aktive janë 1,836, ndërsa janë shëruar 1,694 persona.

Të dhënat i referohen testimit të 1,045 mostrave, ndërsa numri i përgjithshëm i testimeve të bëra në Maqedoninë e Veriut, ka arritur në mbi 41,000.

 

Fraksion.com