Bylykbashi: Ditën e hënë Këshilli Politik do të ketë përpara dokumentin e plotë
Ish deputeti i PD i mandatuar për Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi ka thënë se Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore do të vijojë punën deri në dakordësimin e plotë të amendimeve. Bylykbashi thotë se të hënën do të jetë dokumenti i plotë që i jep zgjidhje edhe dakordësisë.
“U diskutua për problemet e medias në fushatë dhe për financimin e partive politike por ajo që është e rëndësishme është se deri sa të shihen plotësisht të hartuara në legjislacionin zgjedhor, në Kodin Zgjedhor garancitë që është rënë dakord në 5 qershor për administrimin e zgjedhjeve, pra jo vetëm administrata por edhe garancitë e tjera; identifikimi biometrik dhe instrumenta të tjera që mbrojnë votën e zgjedhësve, sigurisht që deri në atë moment këshilli do të punojë për të mbyllur dakordësinë e plotë teknike.
U la detyrë që në fillim të javës, pra ditën e hënë, të kemi versionin e plotë i cili parashikon të gjitha këto garanci, ndërkohë që vazhdojmë për të përmbyllur edhe ato elemente që mund të jetë e nevojshme në aspekte siç janë tek financimi apo kryesisht tek çështja e medias.
Ditën e hënë Këshilli Politik do të ketë përpara dokumentin e plotë me amendamentet në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare dhe adresim të plotë dakordësisë së 5 qershorit.
Fraksion.com