AktualitetPolitikëTë fundit

“Zgjedhorja”; Gjiknuri: Këshilli Politik të mblidhet nesër, të miratojmë amendimet e marrëveshjes

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, njëkohësisht anëtar i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri ka propozuar thirrjen e tryezës së grupit negociator të Këshillit Politik,  të premten, 12 qershor, ora 11:00.

Në njoftimin për mediet bëhet e ditur se “në e-malin e dërguar nga Gjiknuri për Ogert Bylykbashin, Rudina Hajdari dhe Petrit Vasilin thuhet se mbledhja duhet të trajtojë të gjitha temat e mbetura dhe të miratojë gjithë paketën e amendimeve që adresojnë marrëveshjen e arritur”.

“Kjo bëhet edhe më e mprehtë nga nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare deri në miratimin e saj në seancë plenare, duke pasuar edhe me zgjedhjen e organeve përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar që mbaron në fund te Korrikut 2020. Çdo vonesë në miratimin e ligjit dhe zgjedhjen e organeve të reja të KQZ do të rrezikojë fillimin e implementimit të teknologjisë për identifikimin elektronik në të gjithë vendin”, thekson  Gjiknuri.

Më tej, Gjiknuri shprehet se “temat e tjera që kemi vendosur t’i adresojmë të ndara nga Kodi Zgjedhor, mund t’i trajtojmë në një mbledhje tjetër pasi puna e këtij Këshilli do të vazhdojë sikurse është rënë dakord me trajtimin e çështjes së Sistemit Zgjedhor, Ligjit për Referendumet dhe Ligjit pë Financimin e Partive Politike”.

 

Fraksion.com