AktualitetTë fundit

Shtimi i rasteve me COVID-19; Mjekja e Infektivit: Më shumë kujdes, zbatoni masat mbrojtëse

I gjithë stafi mjekësor i spitalit Infektiv është në vijën e parë në përballje me pacientët e prekur nga COVID-19, duke ju gjendur pranë jo vetëm si mjekë, por edhe si familjarë, të cilët nuk kanë mundësi t’i shohin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot apelin e dr. Esmeralda Metës, mjeke e përkushtuar ditë-natë në shërbim të të sëmurëve, e cila bën thirrje për më shumë kujdes nga të gjithë qytetarët.

“Natyrisht puna është mjaft e madhe brenda shërbimit. Ne luajmë rolin e stafit mjekësor, por nga njëra anë edhe të familjarit ndoshta, deri diku, jo 100% për pacientin, sepse i ofrojmë edhe suportin emocional, suportin shpirtëror apo edhe nevojat e tjera që mund t’u duhet pacientëve”, tha ajo.

Sipas dr Metës, “shtimi i numrit të rasteve ka rritur edhe nivelin e frikës apo panikut te pacientët apo te familjarët e tyre, ndaj rikujtojmë sërish kujdesin”.

Edhe ministrja Manastirliu bëri edhe një herë një kujtesë mbi masat mbrojtëse. “Të lajmë sa më shpesh duart. Të ruajmë distancën me njëri-tjetrin. Të mbajmë maskë në ambiente të mbyllura ku nuk është e mundur të respektohet distancimi fizik. Lidhuni me mjekun tuaj të familjes ose telefoni Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse keni shenja të sëmundjes”, tha Manastirliu.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com