“Që të ruheni mos i gëlltisni pa përtypur”; Rama: Produktet e LBPD&Co janë …
Janë afro çerek milion punonjës që do të marrin deri në mesin e këtij muaji ndihmën financiare të akorduar nga qeveria, pasi u prekën në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19.
Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për paketën e tretë të ndihmës ndaj bizneseve deklaroi se “në fund të majit Shqipëria u rihap dhe u rikthye në normalitet. Pagesat vazhdojnë dhe do të mbyllen 100% për afro çerek milion punonjës”.
Kreu i qeverisë publikoi sot një video të nxjerrë nga PD-ja, për të cilën shprehet se gjysmë të vërtetat janë gënjeshtra të mëdha dhe që të ruheni prej tyre mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD&Co.
Rama thekson se qeveria do të jetë gati për paketën e tretë, duke parë dinamikën e situatës, si dhe do iu gjendet pranë atyre në nevojë.
“Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë nga goja e tjetrit, për të përhapur një gënjeshtër të madhe ndaj tij. Gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha”, theksoi Rama.
PD publikoi videon ku kryeministri Rama është shprehur në 13 prill të këtij viti se “në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj”.
Në përgjigje, pasi ndau videon e shpërndarë nga PD, kryeministri Rama publikoi të plotë fjalën e mbajtur në 13 prill ku ka theksuar se “paketa e parë i ndihmoi të goditurve të valës së parë të biznesit të vogël. U akordua një ndihmë që vazhdon lëvrohet çdo ditë, pasi verifikimit nga tatimet. Sot pasi e kemi ndjekur me vëmendje çdo ditë dinamikën në të dyja frontet është momenti ta zgjerojmë paketën. Kjo paketë e zgjeruar do të mbështesë përveç atyre të parëve plot 176 mijë të tjerë. Por, në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj duke parë gjithmonë dinamikën në të dyja frontet dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna në atë moment për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës”.
Rreth 250 mijë persona kanë përfituar nga të dy paketat ekonomike të qeverisë në mbështetje të qytetarëve për shkak të COVID-19.
Postimi i Ramës:
MJAFTON TË NXJERRËSH GJYSMËN E NJË FRAZE TË VËRTETË NGA GOJA E TJETRIT, PËR TË PËRHAPUR NJË GËNJESHTËR TË MADHE NDAJ TIJ!
#GjysëmTëVërtetatGënjeshtratMëTëMëdha
Që të ruheni prej tyre mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD & Co
Fraksion.com