AktualitetBota+Të fundit

OBSH: Pandemia e koronavirusit po merr hov në Afrikë

Pandemia e koronavirusit po merr hov në Afrikë, tha të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Drejtorja rajonale për Afrikën, Matshidiso Moeti, tha se koronavirusi po përhapet përtej kryeqyteteve dhe se mungesa e testeve dhe e furnizimeve po i pengon përgjigjet ndaj tij.

Deri më tani, Afrika ka qenë kontinenti më pak i prekur nga Covid-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

Afrika e Jugut ka më shumë se një të katërtën e rasteve të raportuara dhe po përjeton rritje të numrit të të infektuarve dhe viktimave në provincat e Kepit Lindor dhe Kepit Perëndimor, tha Moeti në një konferencë në selinë e OBSH-së në Gjenevë.

Ajo shtoi se Kepi Perëndimor duket i ngjashëm me shpërthimet e fundit në Evropë dhe në SHBA.

Moeti tha se Afrika, në total, ka rreth 200,000 raste të të infektuarve dhe 5,000 vdekje.

“Edhe pse këto raste në Afrikë përbëjnë më pak se 3% të totalit global, është e qartë se pandemia është duke marrë hov”, tha ajo.

Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 7.4 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 3.4 milionë janë shëruar dhe mbi 417,000 kanë vdekur.

 

Fraksion.com