AktualitetTë fundit

44 raste të reja; QSUT vatër e infektimit të tyre me COVID-19

Rastet me koronavirus në vendin tonë vazhdojnë të rriten. Burimet bëjnë të ditur se në 24 orët e fundit janë 44 raste pozitive me COVID-19, dy më shumë se një ditë më parë. Ndërkohë pritet që rastet të konfirmohen edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Numrin më të lartë vazhdon ta ketë Tiranë, ku po sipas burimeve janë regjistruar 21 raste të reja. Ndërsa në rrethe raportohet se janë shënuar 22 persona me COVID-19, ku shumica janë raste kontakti të të infektuarve të mëparshëm në QSUT, e cila tashmë është kthyer në vatër infeksioni.

Që prej lirimit të masave dhe hapjes së bizneseve shqiptarët nuk po respektojnë më masat, duke filluar që nga ministrja e Shëndetësisë, e cila në çdo dalje publike nuk mban maskë dhe doreza.

Report TV ka bërë një vëzhgim në tregun e Kombinatit, ku qytetarët jo vetëm nuk zbatonin masat, por edhe tuneli dezinfektues që ishte vendosur në hyrje, tani është hequr.

Merr virusin në Tiranë, infekton familjen! 4 raste pozitiv me covid-19 në Durrës : 4 persona në Durrës, anëtarë të një familje kanë rezultuar pozitiv me covid-19 gjatë 24 orëve të fundit.

Burim i infektimit të tyre është bërë njëri nga anëtarët, që kishte ardhur në Tiranë dhe më pas ka infektuar dhe 3 pjesëtarët e tjerë të familjes.

Dy raste me covid-19 në Lushnje, infektohen në QSUT në Tiranë: Në Lushnje janë regjistruar 2 raste të reja me covid në 24 orët e fundit.  Sipas burimeve të Report Tv, të dy personat kanë qenë shkruar në QSUT në Tiranë, ku mendohet se kanë marrë dhe virusin.

6 raste të reja në Krujë, disa të afërm të infektuarve në QSUT: 6 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus në qarkun e Krujës. Të prekurit janë raste kontakti të mëparshme, ku disa janë të afër të të infektuarve në QSUT. Të prekurit gjatë 24 orëve të fundit janë të moshës nga 40-70 vjeç.

4 raste pozitive në Shkodër! Shënohet rasti i parë në Gjirokastër, i prekuri ishte shtruar tek Infektivi në Tiranë:  Në 24 orët e fundit në Shkodër janë konfirmuar pozitiv 4 raste të reja me koronavirus . Nga 30 testet e bëra në Shkodër, 4 dolën pozitiv dhe sipas burimeve janë të gjithë raste kontakti të të infektuarve të mëparshëm. Edhe në Gjirokastër është shënuar rasti i parë me covid-19 që nga shpërthimi i pandemisë. I infektuari 53 vjeç ka qenë i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë për hepatit, ku mendohet se ka marrë dhe koronavirusin.

Dy raste të reja me covid-19, një në Vlorë dhe një në Elbasan: Një rast pozitiv me koronavirus është konfirmuar në Vlorë. Sipas burimeve për Report Tv një burrë është shfaqur me simptoma në Poliklinikën e Vlorës, dhe pasi i është bërë tamponi ka rezultuar pozitiv. I prekuri në Vlorë ka punuar si bojaxhi në Himarë gjatë kësaj periudhe, ku dyshohet se mund të jetë infektuar.

Gjithashtu edhe në Elbasan ka rezultuar gjatë 24 orëve të fundit një person pozitiv me covid. Në vend janë bërë 10 tamponë dhe ka dalë pozitiv një 73-vjeçare.

Dita e djeshme ka shënuar rekord të infektuarish që nga shpërthimi i pandemisë me 42 raste të reja, ndërsa që pas hapjes së vendi duket si qytetarët por dhe institucionet shëndetësore kanë harruar prezencën e virusit në vend.

Veç kujdesit personal të çdo qytetari, përgjegjësia bie mbi shpatullat e autoriteteve që nuk kanë ushtruar kontrollin e duhur për zbatimin e protokolleve të veçanta për të gjitha njësitë që u hapën, ku mungesa e zbatimit të tyre shihet qartë kudo që të hedhësh sytë, njerëz në grupe, pa maska dhe asnjë respektim distance.

 

Fraksion.com