Gjermania lejon udhëtimet, por vetëm brenda BE
Gjermania dhe vendet e BE kanë pezulluar një pjesë të madhe të ndalimeve. Por vendet ekzotike të botës së tretë mbeten të paarritshme.
Në dokumentin e miratuar nga kabineti qeveritar lejohen edhe përjashtime, varësisht nga zhvillimet dhe gjendja. Ministri i Jashtëm Heiko Maas kumtoi se për dallim prej vendeve evropiane, në vendet tjera jashtë Evropës nuk ka të dhëna të qëndrueshme për gjendjen, kriteret dhe proceset e marrjes së vendimeve gjatë udhëtimeve, që do të mundësonte kthimin pa probleme të udhëtarëve që eventualisht shkojnë në këto vende”. Maas pohon: “Ne nuk mund dhe nuk duam të rrezikojmë që gjermanët të kthejnë në vend virusin nga të gjitha bregdetet e botës, pa u zbuluar.”
Qeveria me kërkesë të ministrit të Brendshëm Horst Seehofer ka vendosur që nga e hëna të pezullojë kontrollet kufitare ne shumicën dërmuese të vendeve evropiane.
Turqia bën presion
Për pezullimin e masave nga vendet tjera jashtë BE duhet të plotësohen disa kushte të caktuara. këtu bën pjesë numri i infektimeve, aftësia e përballjes me pandeminë në këto vende dhe gjendja e sistemit shëndetësor.
Duhet të merren parasyshë edhe kapacitetet për teste, kushtet e higjenës dhe kufizimet e udhëtimeve në vende të caktuara. Nga këto masa janë të prekura në veçanti vendet ku udhëtojnë shpesh gjermanët për pushime. Ndër to është edhe Turqia e cila është e interesuar shumë për turistët gjermanë.
Ambasadori turk në Berlin, Ali Kemal Aydin, ka parlajmëruar në maj se Turqia pret heqjen e masave për ndalimin e udhëtimit në këtë vend. “E qartë është se ne për dallim prej shumë vendeve të tjera po përballemi me sukses me Covid-19”, tha ai për agjensinë dpa. “Ne jemi në një pozitë shumë më të mirë se disa vende të Bashkimit Evropian.” Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do që këtë javë të telefonojë me kancelaren Merkel, njofton dpa. Por ndalimet nuk do t’u pëlqejnë aspak as vendeve të tjera, si Egjipti, Maroku dhe Tunezia.
Kaosi i sektorit të udhëtimeve
Qeveria federale do ta ketë shumë vështirë tani: Çdo pezullim i masave të udhëtimeve me ndonjë vend jashtë BE mund të zemërojë vendet tjera. Por aksionet e kthimit të rreth 240.000 udhëtarëve, si në fillim të pandemisë, nuk mund të përsëriten në asnjë mënyrë. Brenda BE-së nuk ka pasur pothuajse asnjë problem me kthimin e turistëve. Në Marok, Afrikën e Jugut apo në Zelandën e Re ka pasur probleme të mëdha.
Agjensitë turistike janë në një gjendje tepër të rëndë, sepse nuk mund të bëjnë kurfarë planesh, siç kanë menduar para këtij vendimi. Zëdhënësi i liberalëve për turizëm, Marcel Klinge, ka kritikuar vazhdimin e masave të ndalimit të udhëtimit në shumë vende, sepse kjo është një “goditje për vdekje e ekonomisë së turizmit”.
Fraksion.com