Gazetarët dhe grupet e të drejtave të njeriut, të alarmuar nga arrestimet gjatë protestave
Chris Dunker, një reporter i gazetës Lincoln Journal Star, tha se ai ishte i tronditur nga arrestimi për pak kohë gjatë mbulimit të një proteste në Linkoln të Nebraskës më 31 maj.
Në atë kohë, reporteri kishte të veshur një jelek me mbishkrimin e qartë “PRESS” (shtypi). Policia e rrëzoi për tokë, e prangosi dhe e ndaloi për një kohë të shkurtër reporterin Dunker, përpara se ta lironte. Reporteri pastaj vazhdoi xhirimet.
“Të shohësh, se si në mënyrë flagrante forcat e zbatimit të ligjit vënë në shënjestër gazetarët, duke shkelur të drejtat e tyre për të raportuar, duke i arrestuar ata, vetëm sepse po bënjnë punën e tyre bazuar në Amandamentin e Parë (të kushtetutës) ka qenë shumë alarmante”, tha Dunker për Zërin e Amerikës.
Reporteri është një nga disa gazetarët që u ndaluan ndërsa po mbulonin protestat për vdekjen nën arrest të afrikano-amerikanit George Floyd në Mineapolis. Organizata Ndjekësi i Lirisë së Shtypit në SHBA (U.S. Press Freedom Tracker) po heton mbi 50 raste të ngjashme të ndalimit të punonjësve të medias nga policia.
Të drejtat e shtypit janë të ngjashme me atë të protestuesve
Arrestimet janë një shkelje e të drejtave të Amendamentit të Parë (të kushtetutës) dhe rrezikojnë të dëmtojnë imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë si një vend i sigurt për lirinë e shtypit, thonë grupet e të drejtave të njeriut dhe ekspertët e mediave.
Kur mbulojnë një protestë, gazetarët kanë të njëjtat të drejta si një protestues, tha Sarah Matthews, avokate e Komisionit të Gazetarëve për Lirinë e Shtypit (RCFP), i cili ofron përfaqësim ligjor falas për gazetarët.
Një gazetar mbrohet nga liria e fjalës dhe liria e shtypit, tha zonja Matthews.
“Kjo do të thotë që gazetarët nuk mund të vihen në shënjestër nga policia me sulme, thjesht për shkak se po bëjnë punën e tyre, kur ata gazetarë zbatojnë urdhrat e ligjshëm të policisë”, tha Matthews për Zërin e Amerikës.
Avokatja tha se videot e gazetarëve duke u arrestuar ose sulmuar kanë qenë “jashtëzakonisht shqetësuese”.
‘Bëri gjithçka ashtu siç duhet’
Ajo përmendi një incident të 29 majit në të cilin policia në Mineapolis arrestoi tre anëtarë të një ekipi gazetarësh të kanalit CNN, të cilët e kishin identifikuar veten si anëtarë të medias dhe pyetën policët se nga cila pjesë e rrugës mund të raportonin. Zonja Matthews tha se ekipi i gazetarëve “bëri gjithçka ashtu siç duhet.”
“Kjo tregon se ka nevojë për një iniciativ nga forcat e zbatimit të ligjit për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë”, tha zonja Matthews.
RCFP është një nga disa grupet që po kërkojnë hetime për sulmet dhe arrestimet e gazerëve.
Padia e ngritur nga ACLU
Dega e Unionit të Lirive Civile Amerikane (ACLU) në Minesota më 3 qershor ngriti një padi kundër qytetit të Mineapolisit, departamentit të tij të policisë dhe Patrullës së Shtetit të Minesotës në emër të gazetarëve të sulmuar, kërcënuar ose “arrestuar pa shkak” ndërsa ata po punonin.
Dhe më 8 qershor, rreth 600 organizata lëshuan një letër të përbashkët që bënte thirrue për një seancë të veçantë të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe një hetim të pavarur mbi dhunën e policisë kundër protestuesve dhe gazetarëve, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Disa mbështetës të lirisë së shtypit thanë se ata kanë frikë se incidentet mund të kenë pasoja të mëdha.
“Vendet e tjera i shohin Shtetet e Bashkuara si përcaktuese të standartit (për lirinë e shtypit)”, i tha Zërit të Amerikës Kathy Kiely, Dekane e Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Mizurit.
“Në këtë kontekst deri në njëfarë mase shkelja e të drejtave nga autoritetet në këtë vend, është shqetësuese pasi mund të shihet si një dritë e gjelbër për sjelljet e vendeve të tjera që janë kundër vlerave amerikane”.
Një shembull i keq?
Ken Paulson, drejtor i Qendrës së Lirisë së Fjalës në Universitetin e shtetërore të Tenesisë, shtoi se ndërsa Shtetet e Bashkuara janë një nga vendet më të mira në botë për gazetarët, vendet e tjera mund të përdorin incidentet e fundit kundër Amerikës.
“Qeveritë që nuk ndajnë vlerat tona do ta përdorin menjëherë këtë si dëshmi se Shtetet e Bashkuara nuk janë ashtu siç pretendojnë”, tha zoti Paulson. “Qeveritë e tjera do ta shohin këtë si hipokrizi nga Shtetet e Bashkuara.”
Bordi i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork (CPJ) ka paralajmëruar se reagimi i policisë mund të “fuqizojë despotët dhe autokratët që nuk tregojnë mëshirë në shtypjen e njerëzve të tyre dhe medias.”
Në një deklaratë të 5 qershorit para guvernatorëve amerikanë, kryetarët e bashkive dhe shefat e policisë, bordi i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve theksoi rolin e rëndësishëm që luan shtypi dhe shtoi, “Çdo përpjekje për të penguar raportimet e tyre është një përpjekje për të mohuar informacionin për publikun – të njëjtin publik të cilit ju dhe departamentet tuaja i shërbejnë”.
Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett është në bordin e drejtorëve të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Drejtorja për marrëdhëniet me publikun e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Courtney Radsch i tha Zërit të Amerikës se organizata e saj ka ofruar ndihmë emergjente dhe do të kontaktojë zyrtarët lokalë dhe shtetërorë për trajtimin e gazetarëve.
“Ne do ta bëjmë këtë një dhimbje koke të madhe për departamentet e policisë,” tha zonja Radsch. “Ata kanë përgjegjësinë të mbrojnë gazetarët dhe të mbështesin ligjin, baza kryesore e të cilit është Kushtetuta jonë.”/voa
Fraksion.com