AktualitetTë fundit

Shtimi i rasteve me COVID-19; Brataj: Qytetarët nuk respektuan masat, grumbullimet luajtën rol

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi sot se nga heqja e kufizimeve për lëvizjen e qytetarëve pritej një shtim i rasteve të prekur me infeksionin COVID-19, por numri i lartë lidhet me mosrespektimin e masave nga qytetarët.

“E kemi thënë që do të kemi rritje, por sasia e numrit të tyre varet nga masat që do të respektoheshin nga qytetarët në radhë të parë. Njerëzit janë të lirë të lëvizin dhe është më i pamundur kontrolli”, tha Brataj gjatë një interviste në media.

Brataj komentoi se edhe grumbullimet dhe manifestimet kanë luajtur rol në shtimin e rasteve. Sipas tij, përgjegjësia personale është edhe kolektive, se grumbullimet dhe manifestimet nuk bëhen rastësisht.

“Masa më e efektshme ishte distancimi fizik”, u shpreh Brataj.

Sipas Brataj nëse vijon rritja e numrit të personave të përket me COVID-19 do të detyrohemi të rikthejmë kufizimet, pasi këta individë të prekur kthehen në pacientë dhe kolapsojnë sistemin.

“Virusi është këtu nuk ka ikur. Vërtet ka ulur virulencën, por nuk duhet të harrojmë se kemi 41 të shtruar në Infektiv, kur dy javë më parë kishim 14. Ky është një tregues jo i mirë”, deklaroi Brataj.

 

Fraksion.com