Rënie historike e eksportit gjerman në prill
Prilli i kaluar do të futet në historinë e tregtisë gjermane – për të keq! Eksporti gjerman ka rënë për më shumë se 30%, krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë, prej vitit 1950.
Volumi i tregtisë së jashtme ka qenë vetëm 75,7 miliardë Euro, kumtoi Enti i Statistikave të martën në Wiesbaden. Ishte kjo rënia më e madhe e eksportit gjerman gjatë një muaji që prej fillimit të matjeve statistikore në vitin 1950. Krahasuar me marsin e vitit 2020, eksportet në prill kanë rënë për 24,0%.
Kina, Evropa, Amerika
Eksportet gjermane kanë rënë varësisht nga tregu dhe vendet e botës. Eksportet në Kinë kanë rënë në prill të vitit 2020 më pak se në rajonet tjera, me një minus prej 12,6 %. Virusi Corona është paraqitur për herë të parë në Kinë. Por në mars ai është përhapur me tërë fuqinë në Evropë dhe SHBA. Këtë e tregon edhe bilanci i eksporteve. Më së shumti është prekur eksporti në Francë me një minus prej 48,3 %, pastaj në Itali minus 40,1 dhe SHBA minus 35,8%, në krahasim me një vit më parë.
Shumë ekonomistë kanë llogaritur me një rënie të madhe të eksportit gjerman, pas rënies në mars prej 11,7 %. Por rënia në prill ka qenë edhe për ta më e madhe sesa që është menduar. Eksporti gjerman ka rënë në tre muajt e fundit në mënyrë konstante. Ndaj ekspertët janë kureshtarë të shohin se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të vitit.
Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë në Gjermani llogaritë se në vitin 2020 mund të ketë një rënie të eksporteve prej të paktën 15 %. Edhe Shoqata Federale e Industrisë (BDI) pret një minus prej rreth 15 % të eksporteve. Ekspertët thonë se nga bumi i 10 viteve të fundit në eksport ka mbetur pak. Por pas lehtësimeve të fundit të masave mbrojtëse, në Gjermani ka filluar të përmirësohet gjendja.
Fraksion.com