AktualitetBota+Të fundit

OKB: Pandemia mund të shkaktojë emergjencë globale të ushqimit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar për “emergjencë globale të ushqimit në të ardhmen”, për shkak të kombinimit të varfërisë ekstreme dhe pandemisë me koronavirus.

“Sistemet tona të ushqimit janë duke dështuar, dhe pandemia me Covid-19 është duke përkeqësuar gjërat”, ka thënë Guterres në një video-mesazh më 9 qershor.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar që më shumë se 820 milionë persona në gjithë botën janë të uritur, derisa 144 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare nuk rriten si duhet.

Guterres ka paralajmëruar se rreth 49 milionë persona mund të përballen me varfëri ekstreme këtë vit për shkak të pandemisë.

“Nëse nuk merren hapa të menjëhershëm, është krejtësisht e qartë se do të ketë një emergjencë globale me ushqim në një të ardhme të afërt, e cila mund të ketë ndikim afatgjatë në qindra miliona fëmijë dhe të rritur”, ka thënë ai.

Banka Botërore ka vlerësuar më 8 qershor se 71 milionë deri në 100 milionë njerëz do të përballen me varfëri ekstreme për shkak të pandemisë.

Guterres ka bërë thirrje për mbrojtje më të mirë të punëtorëve në sektorin e ushqimit, për më shumë mbështetje për prodhuesit e ushqimit dhe për shmangie të pengesave në zinxhirin e transportit, në mënyrë që të dërgohet ndihma humanitare tek ata që kanë nevojë.

 

Fraksion.com