Këshilli Kombëtar i Integrimit; Cakaj: Sfida e integrimit kërkon vullnet politik
Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, i pranishëm në Këshillin Kombëtar të Integrimit, prezantoi planin e veprimit, duke renditur përparësitë për t’u përmbushur deri në Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
“Në mars të këtij viti KIE vendosi çeljen e negociatave duke iu përgjigjur pozitivisht kursit të reformave që kanë ndodhur në Shqipëri. Vendet anëtare vlerësuan progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe përmirësimin e gjendjes sa i përket të drejtave themelore. Raporti i fundit e konsideron Shqipërinë edhe shembull në rajon duke filluar nga reforma në drejtësi. Çelja e bisedimeve nuk është vetëm kurorëzim i të arriturave, por edhe hapja e kapitujve”, deklaroi ministri.
Cakaj tha se “Kjo sfidë e integrimit, është hapja e sfidave dhe detyrave të reja, kërkon vullnet politik mbi të gjitha. Duhet të kemi konsensus e të ecim para. I vetëdijshëm për kufizimet kohore, unë nuk po i lexoj ato që keni në dorë por po jap disa sqarime mbi to:
E para lidhet me kapacitet teknike të skuadrës tonë për të vazhduar në rrugën e integrimit. Po ashtu si rrjedhojë e përfundimeve të këshillit kemi mbaruar shqyrtimin e 35 kapitujve të legjislacionit të BE-së. Tashmë kemi ngritur struktura përgjegjëse për zhvillimin e negociatave.
E dyta, fakti që nuk ka ende një datë për konferencën e parë s’do të thotë se nuk ka nisur si proces, është i nevojshëm zbatimi sistematik i detyrave.
E treta, duhet të jemi të vetëdijshëm që negociata do zhvillohen me metodologjinë e re që do të thotë se nuk ka progres do ketë regres, prandaj duhen ndjekur pikë për pikë rekomandimet e KE-së.”
Fraksion.com