AktualitetBota+Të fundit

Hjuston, sot funerali i George Floyd

Familjarë e miq nderojnë të martën George Floydin gjatë një ceremonie private varrimi në qytetin amerikan të Hjuston, dy javë pasi vdekja e tij ndërsa ndodhej nën arrest nga policia, nxiti protesta mbarë kombëtare kundër asaj që u cilësua brutalitet policor.

Pas funeralit, policia e Hjustonit do të shoqërojë kortezhin e përmortshëm në një qytet aty pranë, në Pearland, ku zoti Floyd do të varroset pranë nënës së tij.

Në kujtim dhe nderim të George Floydit ndërtesa e bashkisë së qytetit të Hjustonit u ndriçua të hënën në mbrëmje në ngjyra të kuqerreme e floriri, ngjyrat e shkollës së mesme që ka frekuentuar ai.

Qytetet e tjera u bashkuan duke ndriçuar me drita të kuqe dhe të arta godinat e bashkive në Los Anxhelos, Boston, Oakland, Las Vegas, Nju Jork e gjetkë.

Mijëra njerëz u derdhën në kishën “Fountain of Praise” “Shatërvani i admirimit” për të nderuar zotin Floyd.

Ceremoni përkujtimore u mbajtën gjithashtu javën e kaluar në Mineapolis dhe Raeford të Karolinës së Veriut, pranë vendit ku lindi zoti Floyd.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott, i cili përfaqëson Partinë Republikane, ishte mes pjesmarrësve në ceremoninë përkujtimore për nder të zotit Floyd të hënën. Ai u tha gazetarëve jashtë ambjenteve të kishës se do ta përfshinte familjen e George Floyd-it në diskutime rreth reformës në polici.

George Floyd do të jetë një trashëgimi e gjallë për mënyrën se si Amerika e Teksasi iu përgjigjën kësaj tragjedie”, tha zoti Abbott./voa

 

Fraksion.com