AktualitetPolitikëTë fundit

Eurobondi; Rama: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj rezultatit të arritur nga Shqipëria në tregjet e kapitaleve, ku thekson se, “përgjigjja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj”.

“Analistët e shifrave që nuk i kuptojnë dhe opozitarët e aritmetikës që nuk e zotërojnë, le ta shohin rezultatin e sapoarritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve, ku përgjigjja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj!”, u shpreh Rama.

Dhe natyrisht, shtoi Kryeministri Rama, “kur një vend arrin këtë rezultat spektakolar në një kohë kaq të vështirë dhe megjithë vajtojcat që e qajnë dhe shajnë përditë, nuk ka se si të mos jesh krenar si kryetar i qeverisë, për librin e llogarive të shtetit që merr një vlerësim kaq spektakolar nga tregjet!”

“Ah po, se mos harroj, meqë është në modë krahasimi me vendet përreth, le t’i marrin e t’i krahasojnë tani përgjigjet e tregjeve për secilin prej vendeve, që së fundi kanë dalë për Eurobondin në kërkim të financimit të ekonomive postCovid! E di, e di, të fundit dalim prapë, 7×7=42”, përfundoi Rama reagimin e tij.

Ligji për daljen në tregjet ndërkombëtare për eurobondin u miratua nga Kuvendi më 4 qershor, i cili u dekretua menjëherë nga Presidenti Meta. Ministrja e Financave Anila Denaj ka deklaruar se eurobondi do të jetë me madhësi deri në 650 milionë euro dhe me maturim 7 deri në 10 vite.

Financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për të shlyer (rifinancuar) eurobondin e marrë në vitin 2015 dhe për të plotësuar nevojat për financim për vitin 2020.

Kjo është hera e katërt që Shqipëria u drejtohet tregjeve ndërkombëtare me eurobond.

Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5 vjeçar dhe interes 7.5%) dhe është shlyer në vitin 2015. Eurobondi i dytë është emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), në vlerë prej 450 milionë Euro dhe me një normë interesi 4.75%. Eurobondi i tretë i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.5%.

 

Fraksion.com