Trauma e Viktor Orbanit
Me përkujtimin e “diktatit të paqes” të Trianonit të firmosur para 100 vjetësh kryeministri hungarez Viktor Orbán bashkon rreth vetes hungarezët – si brenda vendit ashtu dhe në shtetet fqinje.
“Historia nuk njeh asnjë komb që i ka mbijetuar humbjes së tillë gjaku,” tha kryeministri Orbán në një fjalim para kombit në fillim të këtij viti. “Sot, njëqind vjet pas dënimit me vdekje të Trianonit, mund t’ju them se Hungaria dhe ne vazhdojmë të ekzistjmë.”
Sipas historianit János Rainer këtu “nuk bëhet fjalë për anulimin e traktateve të paqes ose për të vendosur kufij të rinj.” Për të memoriali i Trianonit në kryeqytetin hungarez, Budapest, është mbi të gjitha një vend ku nderohet një mit flijimi – “i një kombi që ka pësuar kaq shumë goditje dhe që ende është i bashkuar”. Me këtë qeveria ndjek synime të brendshme: kombi duhet të bashkohet rreth liderit të saj – përkatësisht kryeministrit Viktor Orbán.
Dy milion hungarezë në vendet fqinje
Në vendet fqinje jetojnë sot rreth dy milion hungarezë, shumica e tyre në Transilvani të Rumanisë. Duke u dhënë atyre pasaporta të dyfishta dhe të drejtën e votës, . qeveria e Orbánit ka siguruar një grup të qëndrueshëm zgjedhësish nga radhët e hungarezëve jashtë vendit, gjë që shihet me dyshim në Bratislavë dhe Bukuresht.
Gjatë pandemisë së koronës, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szíjjártó, shpërndau maska për bashkatdhetarët, sepse “çdo hungarez është përgjegjës për çdo hungarez”, siç thuhet në kushtetutën e vitit 2012. Në videot e PR, marrësit e falënderuan qeverinë në Budapest duke bërë të qartë se “asnjë virus” nuk mund t‘i “ndajë hungarezët”.
Trianoni është trauma e madhe e hungarezëve, thotë ish-zëvendëskancelari i Austrisë Erhard Busek, i cili kryeson sot Institutin e Vjenës për Rajonin e Danubit dhe Evropën Qendrore. Por ata harrojnë “se atje jetonin jo vetëm hungarezë, por popullsi të ndryshme “. Partitë hungareze në Rumani dhe Sllovaki tani përfaqësojnë në mënyrën e duhur interesat e pakicës. Qeveria në Budapest pompon miliona për arsimin, mediat dhe klubet e tyre sportive – investim ky për vota në favor të partisë Fidesz.
“Hungarez është kujt i dhemb Trianoni”
Sipas një studimi të fundit të Akademisë Hungareze e Shkencave, 84 përqind e rreth 1.000 të anketuarve ishin të mendimit se hungarez është ai “që i dhemb Trianoni”. 94 përqind janë të mendimit se traktati i paqes, i cili në dokumentet zyrtare quhet “diktati i paqes”, ishte “i padrejtë”.
Ekstremistët e djathtë kërkojnë madje një rishikim të kufijve. Ndër ta bën pjesë László Toroczkai, kryetari i komunës kufitare serbo-hungareze Ásotthalom, i cili “dëshiron rishqyrtimin e marrëveshjes së Trianonit”. Apo grupi muzikor Kárpátia që me këngët e veta ka bërë që rreth marrëveshjes së Trianonit të jetë krijuar edhe një subkulturë ekstremiste e djathtë. Pjesë e saj është edhe adhurimi i kultit të Miklós Horthyt. Miklós Horthy bërë aleancë me Hitlerin për t’i rikthyer Hungarisë zonat që kishte humbur në vitin 1920. Ai madje pati dhe një sukses afatshkurtër përsa i përket politikës së jashtme, sepse me dy vendime të Gjakatës së Arbitrazhit Vjenë në vitet 1938 dhe 1940 Hungaria rimori një pjesë të zonave të humbura. Por këto vendime u shfuqizuan pas Luftës së Dytë Botërore.
Teza e komplotit të fuqive të mëdha
Tezën se Trianoni ishte komplot i fuqive të huaja Orbáni e ka përshtatur sot kur flet për “Perandorinë e Brukselit” apo kur e quan “Brukselin, Moska e re”. Nga ana tjetër ai thotë se megjithë konfliktet “çuditërisht, unë konstatoj se gjejmë një gjuhë të përbashkët me Sllovakinë, Serbinë, Kroacinë dhe Slloveninë dhe ne madje mund të formojmë aleanca” – si për shembull ajo e katër vendeve të Vishegradit, ku bëjnë pjesë Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Polonia, një bllok skeptik ndaj Evropës. Sidoqoftë fund të fundit gjëja më e rëndësishme për qeverinë e Budapestit është se si të nxjerrë përfitime politike nga territoret e dikurshme që qenë pjesë./DW
Fraksion.com