AktualitetPolitikëTë fundit

Takimi i Metës me Thaçin: Me rëndësi vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi

“Është me rëndësi vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke por edhe të ardhmen e tyre në BE”.

Kështu deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, i cili priti në një takim në presidencë, Presidentin e  Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kënaqësi të takohesha sot me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Shprehëm gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, me qëllim tejkalimin me sukses të pasojave social-ekonomike të pandemisë COVID-19, kthimin në normalitet të jetës së qytetarëve, dhe stabilizimin e plotë të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, veçanërisht me afrimin e sezonit veror turistik”, tha Meta.

Sipas tij, “bashkëjetesa midis shqiptarëve e serbëve është në interes të paqes, stabilitetit dhe perspektivës europiane të rajonit tonë”.

Gjatë një konference për shtyp me gazetarët, Presidenti Meta tha se “me Thaçin kemi biseduar që Kosova të vazhdoj në rrugën e  forcimit të institucioneve demokratike”.

“Vlerësoj se pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme edhe në raport me vendimin e fundit të të Gjykatës Kushtetuese kemi pasur një tranzicion paqësor e demokratik të qeverisë në Koosvë. Për këtë do të doja të përshëndesja edhe ish-kryeministrin Albin Kurti të cilin e  falënderoj shumë edhe për bashkëpunimin që kemi pasur me gjatë këtyre muajve. Përsëri Kosova dhe një shembull pozitiv të respektimit të institucioneve. Shpresoj shumë të ketë sa më shumë bashkëpunim për të gjitha sfidat që ka aktualisht. Ne do ta mbështesim gjithmonë vullnetin e popullit të Kosovës dhe do të respektojmë gjithmonë Kushtetutën dhe institucionet e Kosovës”, tha Meta.

 

Fraksion.com