AktualitetBota+Të fundit

Reagimet e Kongresit ndaj vdekjes së George Floyd dhe protestave që pasuan

Ndërkohë që ceremonitë përkujtimore për George Floyd mblodhën qindra vetë të premten në Mineapolis, anëtarët e Kongresit pa dallim partiak, po dënojnë hapur përdorimin e forcës policore që çoi në vdekjen e zotit Floyd. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jesusemen Oni përgatiti materialin:

Mbrëmë u zhvillua ceremonia e parë përkujtimore në nderim të George Floyd që mblodhi qindra vetë në Mineapolis.

Ndërkaq në Uashington, senatorët demokratë mbajtën 8 minuta e 46 sekonda heshtje, duke kujtuar çdo sekondë kur Floyd ishte i mbërthyer përtokë nën gjurin e policit Derek Chauvin.

“Jemi mbledhur në këtë moment solemn për të shënuar vdekjen tragjike dhe për të nderuar jetën e tij,” tha Senatori demokrat, Cory Booker.

Thirrjet për drejtësi vazhdojnë të jehojnë në mjediset e Kongresit. Ligjvënësit, qofshin demokratë apo republikanë e kanë dënuar vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit. Katër policë janë nën akuza si rezultat i vdekjes së tij.

“Kjo është një këmbanë alarmi që duhet të kishte rënë prej kohësh për shumë afrikano-amerikanë që vdiqën gjatë arrestit në rrethana keqtrajtimi nga policia,” tha Senatori republikan Lindsey Graham.

“Kemi përballë pyetje të karakterit kushtetues. A është sistemi i drejtësisë në Amerikë kaq i infektuar nga racizmi saqë nuk mund të funksionojë në përputhje me vlerat tona demokratike?” thotë Senatori demokrat Dick Durbin.

Edhe republikani më i lartë në Senat dënoi dhunën që çoi në vdekjen e George Floyd.

“Në asnjë rrethanë arrestimi i një personi për një shkelje të vogël nuk duhet të shoqërohet me vënien e gjurit në qafën e të dyshuarit për nëntë minuta, ndërkohë që ai lutet “nuk marr dot frymë” derisa nuk lëviz më,” tha Senatori Mitch McConnell.

Por megjithëse udhëheqësit republikanë nuk kanë vonuar të shprehin ngushëllime dhe solidaritet me familjen Floyd, ata nuk janë treguar aq të drejtpërdrejtë në kritika kundër veprimeve të Presidentit Trump, i cili këtë javë thirri ushtrinë për të kontrolluar demonstratat para Shtëpisë së Bardhë.

Në një artikull-opinion, Senatori republikan, Tom Cotton shprehu mbështetje për veprimet e presidentit. Ai tha për rrjetin Fox News se demonstrimi i forcës është i nevojshëm në këto rrethana, kur disa nga protestat pas vdekjes së George Floyd, janë shoqëruar me dhunë.

“Ta shohim se si anarkistët do të reagojnë kur Divizioni i 101-të rreshtohet përballë tyre”.

Demokratët në Kongres i kanë kritikuar ashpër veprimet e presidentit dhe po hartojnë një paketë reformash me synimin për të ndryshuar kulturën e reagimit të policisë në SHBA.

“Mund të bëjmë fare thjesht një gjë: të bëjmë të detyrueshme kamerat në uniformat e policëve. Po ashtu raportimet. Të garantojmë gjithashtu se do të ndryshojmë ligjet mbi të cilat mbështetet reagimi ynë ndaj këtyre rasteve,” tha Senatorja demokrate, Kirsten Gillibrand.

Ndërkohë vazhdon presioni ndaj ligjvënësve për të vepruar në mënyrë që të rivendoset qetësia në qytetet e përfshira nga trazirat.

 

Fraksion.com