Kim: Marrëveshje e rëndësishme, do vazhdojmë t’ju mbështesim drejt BE-së
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u shpreh e kënaqur nga marrëveshja e arritur sot me palëve politike për Reformën Zgjedhore.
“Jemi shumë të kënaqur që kemi parë sot që Këshilli Politik ka marrë këtë vendim dhe është bërë kjo marrëveshje e rëndësishme. Kjo në sajë të gjithë atyre orëve pune nga të gjithë ata që kanë qenë pjesë”.
“Të gjitha palët, të gjithë personat e pranishëm kanë dhënë kontributet e tyre, por edhe kanë hequr dorë ose kanë dhënë nga diçka. E bënë këtë në mënyrë që të jetë Shqipëria ajo që përfiton nga kjo gjë”, tha Kim.
“Disa do ta kritikojnë këtë marrëveshje si jo të mjaftueshme. Por po ta shikojmë në një kuadër të gjerë, kjo është një gjë për të cilën unë shpresoj që të gjithë do të japin mbështetjen e tyre”, u shpreh Kim.
“Sa i përket SHBA, jemi krenarë për këtë marrëveshje dhe do vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugëtimin drejt BE”, tha Kim.
Edhe, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, pas takimit përshëndeti sot marrëveshjen e arritur mes palëve politike për Reformën Zgjedhore.
“Ne e kemi mirëpritur këtë marrëveshje. Është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës, i cili ka filluar në janar”, tha ai.
Në fakt, theksoi Soreca, “të mërkurën kemi pasur një marrëveshje të mirë pas disa diskutimeve të mira, por ju e dini që ka qenë Opozita e Bashkuar ajo që ka kërkuar që të shikonte dhe shqyrtonte më tej detajet e tjera, si për shembull depolitizimin e administratës zgjedhore, gjë e cila është në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe ne e mbështesim këtë ecuri që është arritur”.
“Në emër të BE dëshiroj të them që Shqipëria tashmë është më pranë BE, sonte pas kësaj marrëveshjeje. Kjo për arsye se një nga kushtet për çeljen e negociatave të aderimit do të përmbushet së shpejti”, tha Soreca.
“Kjo vjen dhe në momentin e duhur, për arsye se javën që vjen KE do të propozojë dhe kuadrin negociator që do të jetë baza e negociatave mes BE dhe Shqipërisë. Kështu që tani le të ecim përpara”, theksoi Soreca.
Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuara, Duncan Norman tha se, “kjo është një ditë vërtetë e mirë në fund të një jave mjaft të gjatë dhe të vështirë negociatash”.
“Të gjithëve iu është dashur të japin diçka. Marrëveshja u bë e mundur vetëm për arsye se të gjithë patën dëshirën dhe vullnetin që të bënin kompromis. Ky është mesazh i rëndësishëm për politikën në Shqipëri. Kjo marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm sa i përket negociatave me BE dhe po ashtu një hap tejet i rëndësishëm sa i përket zgjedhjeve në Shqipëri dhe për vetë zgjedhësit. Megjithatë ky është vetëm fillimi që do të thotë që thelbi do të jetë tek zbatimi, tek implementimi. Megjithatë në rast se kjo frymë kompromisi dhe bashkëpunimi që kemi parë gjatë kësaj jave do të vazhdojë atëherë unë jam besimplotë dhe shpresëplotë për të ardhmen”, u shpreh ambasadori Norman.
Fraksion.com