“Felici e contenti”; Topalli: Basha hoqi dorë nga të gjitha kauzat e ngritura në 7 vite
Ish-kryetarja e Kuvendit në qeverinë e PD-së, Jozefina Topalli reagoi sot pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.
Topalli u shpreh se Basha hoqi dorë nga të gjitha kauzat e veta të ngritura në 7 vite.
“7 vite rresht tha se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Në funksion të kësaj bëri çadër, “revolucion”, dogji mandatet e demokratëve, nuk hyri në zgjedhje lokale, i dhuroi Ramës gjithë Parlamentin, pasi i dhuroi mandatin e dytë, i dhuroi të gjitha Këshillat Bashkiake, i dhuroi të gjitha bashkitë. Dhe ja sot po thotë me shkrim se “ashtu ishte loja”. Nuk kërkojnë më as qeveri tranzitore, as qeveri kujdestare, as qeveri kalimtare. Sipas Luli Bashës, Rama nuk qenka ai që thoshte se ishte”, deklaroi Topalli.
Sipas saj, këta janë dhe kanë qenë të gjithë bashkë.
“Sonte ishin “felici e contenti” me Kodin siç ishte. Kjo kastë politike e korruptuar duhet shkulur”, deklaroi ajo.
Fraksion.com