Bërnabiq: Nuk kam informacione se Serbia ka ndaluar fushatën kundër Kosovës
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nuk ka informacione se vendi i saj ka ndaluar fushatën e tërheqjeve të njohjeve të Kosovës.
Të enjten, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit.
“E kam parë këtë lajm, por jo edhe burimin e këtij lajmi. Kur flisni për lajm nga Brukseli, unë nuk e di se çfarë do të thotë. A vjen nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian, apo e ka thënë ndonjë njeri në rrugë dhe ne e marrim atë si burim të ligjshëm”, tha Bërnabiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
“Ju kërkoni nga unë të komentoj lajme jozyrtare, që janë publikuar në mënyrë tendencioze dhe në kohë tendencioze”, shtoi Bërnabiq.
Ajo tha se përsërit qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe “qëndrimin e shtetit” se Serbia, gjatë dialogut, “mund të pezullojë bisedimet me shtetet tjera që mendojnë se kanë gabuar me njohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës, nëse Prishtina i pezullon bisedimet e saj për të arritur njohje të reja dhe për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare”.
“Mendojmë se kjo është e drejtë. Gjatë dialogut pezullohet gjithçka derisa të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje kompromisi”, tha Bërnabiq.
Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka mohuar të enjten se Serbia ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Zyrtarët serbë nuk e kanë fshehur se diplomacia e tyre udhëhiqet në këtë drejtim.
Megjithatë, numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – e cila është shpallur në vitin 2008 – si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, nuk është i qartë.
Fraksion.com