AktualitetTë fundit

Goditet grupi i kokainës, 2 të arrestuar në Shqipëri, 9 në Itali

Dy persona janë arrestuar në Shkodër dhe në Cërrik në kuadër të një operacion ndërkombëtar për trafik kokaine. Arrestimet e dy shqiptarëve u kryen në bashkëpunim dhe koordinim me policinë italiane që ekzekutoi edhe nëntë urdhër arreste të tjera për të njëjtin operacion të koduar “ZAD”.

Gjatë operacionit në Shqipëri u arrestuan Florjan Palaj 32 vjeç, lindur në Shkodër dhe Ilia Deda 49 vjeç lindur në Cërrik. Ndërsa mes nëntë të arrestuarve në Itali, gjashtë janë shqiptarë. Pra në total për këtë operacion janë arrrestuar tetë shqiptarë.

Sipas policisë shqiptare gjykata e hetimeve Para-Gjyqësore në Pistoia, Itali lëshoi urdhër-arreste për 11 persona, ndërmjet tyre edhe këta dy në vendin tonë Palaj dhe Deda për veprën penale “Posedim dhe kontrabandim i paligjshëm i drogave, kryesisht kokainë” kryer në bashkëpunim. Maksimumi i dënimit 20 vjet burg.

Sipas policisë shqiptare, nga hetimet e drejtësisë italiane ka rezultuar se Florjan Palaj ka luajtur rolin e tij si ndërmjetësues mes disa shqiptarëve të raportuar si blerës të pakove më kokainë, vepër penale të cilën e ka kryer në bashkëpunim me të tjerë, ndërsa Ilia Deda duke vepruar në rolin e rishitësit të lëndës narkotike, në bashkëpunim me shqiptarë dhe italianë ishte përgjegjës për mbledhjen dhe nxjerrjen në shitje të pakove me kokainë, sasi e siguruar dhe e ruajtur nga të tjerë shqiptarë.

 

Fraksion.com