AktualitetEkonomiTë fundit

Projekti i HEC-it të Skavicës; Balluku: Pranë ëndrrës për të kthyer vendin në fuqi eksportuese të energjisë së rinovueshme

Qeveria shqiptare do ta ndërtojë me financim 100% shtetëror Hidrocentralin e Skavicës, pjesë e kaskadës së Drinit, e konsideruar vepër strategjike për pavarësinë energjetike dhe kthimin e Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjetik të rajonit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë prezantimit të projektit për HEC-n e Skavicës u shpreh se jemi pranë realizimit të ëndrrës për të kthyer vendin në eksportuesin më të madh të energjisë së rinovueshme në rajon.

Sipas saj, HEC i Skavicës kompleton Kaskadën e Lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike. Kapaciteti i prodhimit në HEC-in e Skavicës, tha Balluku, llogaritet 210 megavat, çka rrit me gati 80 GwH kapacitetin e HEC-t të Fierzës dhe Komanit.

“Në rast se do të jetë një projekt i suksesshëm do të ofrojë një zgjidhje për përmbytjet e shumta për zonën e Mbishkodrës dhe do të përfitojnë 70 mijë familje”, u shpreh ministrja.

Ministrja tha se ne synojmë të realizojmë një garë të hapur transparente ndërkombëtare brenda muajit tetor për të arritur në një instrument të rëndësishëm të kësaj gare.

“Kjo është një vepër e cila do të ndërtohet me fonde të qeverisë shqiptare, duke u mbështetur të partnerët tanë ndërkombëtare. Po përmend BERZH-n e cila është ofruar”, tha Balluku.

Kosto e ndërtimit të këtij HEC-i llogaritet sipas studimit 510 milionë euro.

 

Fraksion.com