Liria e shtypit: Ne do të vazhdojmë të raportojmë
Korrespondentët e DW në konflikt me policinë apo në arrest – këtë e njohim nga shtete afrikane e nga Rusia. Sulmi ndaj medias në shtetin amë të demokracisë është i ri, thotë kryeredaktorja e DW, Manuela Kasper-Claridge.
Pamjet e sulmeve ndaj gazetarëve në Shtetet e Bashkuara janë jashtëzakonisht shqetësuese. Dhuna e policisë është e drejtuar kundër një raportimi të pavarur dhe të lirë. Por ne gazetarët nuk frikësohemi. Ashtu si kolegu im Stefan Simons, i cili siç duket u qëllua me një plumb gome nga një grup policie. Ai menjëherë pas kësaj kaloi në transmetim live dhe e komentoi ngjarjen. Platforma informuese Bellingcat ka numëruar mbi 100 gazetarë gjatë ditëve të kaluara, të cilët u bënë viktima të dhunës policore në Shtetet e Bashkuara. Midis tyre fotografja Linda Tirado, e cila humbi një sy nga një plumb gome.
Kushdo që na pengon ne gazetarët, do të dështojë. Sepse raportimi i lirë është pjesë e ADN-së së një demokracie. Vetëkuptohet, edhe në SHBA, e cila në renditjen e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij është vetëm e 45-ta. Gazetarët ndërkohë po jetojnë një klimë armiqësore në Shtetet e Bashkuara, të nxitur nga sulmet verbale të Presidentit amerikan. Kjo duhet të ndalet!
Por përpjekjet për frikësim dhe shpifje do të mbeten të pasuksesshme. Raportimet për dhunën policore, abuzimin e pushtetit ose dështimin politik janë çështje për të cilat ne i marrim parasysh rreziqet. Sepse çdo njeri ka të drejtën e informacionit. Edhe kur kjo nuk u përshtatet disave. Çdo sulm ndaj nesh gazetarëve është një sulm ndaj lirisë së të gjithëve. Kjo është arsyeja pse ne duhet të luftojmë me të gjitha mjetet e shtetit ligjor kundër pengimit të raportimit të pavarur dhe të lirë.
Deutsche Welle ka protestuar zyrtarisht në ambasadën amerikane kundër kërcënimit të korrespondentit të saj. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas kërkon mbrojtjen e lirisë së shtypit nga SHBA dhe dëshiron t’i hetojë abuzimet. Dhe kjo është gjë e mirë. Përballë sulmeve, është e rëndësishme të krijohet një publik i gjerë. Sepse atje ku pengohen gazetarët në punën e tyre, të drejtat e tjera rrezikohen shpejt. Prandaj ne do të vazhdojmë t’ju informojmë. Për atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara, në Hong Kong, në Rusi, në Gjermani – në të gjithë botën. Këtë liri ne nuk do të lejojmë të na e marrin./DW
Fraksion.com