Kurti për qeverinë e re: Kjo është qeveri koti
Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është “qeveri e paligjshme” dhe siç është shprehur ai është “ qeveri koti”.
Përmes një video-mesazhi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se të enjten nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së kryeministrit te Hoti.
“Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveri koti. Ne jemi qeveria alternative. Nesër, nuk do ta bëj pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi Kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar vetën e tyre si Gjykatë”, është shprehur ai.
Kuvendi i Kosovës ka votuar të mërkurën për Qeverinë Hoti me 61 vota për.
Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.
Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.
Fraksion.com