Kina kërcënon SHBA me hakmarrje për Hong Kongun
Donald Trump dëshiron që për shkak të marrëdhënieve të Pekinit me Hong-Kongun ta kufizojë statusin e privilegjuar ekonomik të ish-kolonisë britanike si dhe ta reduktojë numrin e studentëve kinezë që shkojnë në SHBA.
Ende nuk ka masa konkrete
“Çdo fjalë dhe veprim që dëmton interesat e Kinës do të hasë në kundërmasa nga pala kineze,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian në Pekin. Veprimet e Uashingtonit përfaqësojnë “ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Kinës” dhe minojnë marrëdhëniet midis dy vendeve, tha zëdhënës. Sidoqoftë tani për tani nuk dihet se çfarë kundërmasash specifike mund të marrë Pekini.
Frikë nga një ndikim i fuqishëm i Pekinit
Parlamenti rajonal i Hong-Kongut që është besnik i Pekinit miratoi të enjten (28.05) planet e qeverisë qendrore kineze për një ligj të diskutueshëm për sigurinë për metropolin financiar. Ky ligj parashikon ndëshkime për përkje për “shkëputje”, “përmbysje”, “terrorizëm” dhe “rrezikimin e sigurisë kombëtare” dhe i mundëson shërbimit qendror kinez të sigurisë që të vendoset dhe të veprojë hapur në Hong Kong.
Kritikët kanë frikë se ligji i ri do t’i japë qeverisë së Pekinit akses më të madh në Hong Kong dhe do të çojë në humbjen e lirisë që shijon ish-kolonia britanike pas rikthimit të saj tek Kina në vitin 1997. Sipas ligjit të ri për sigurinë policia dhe shërbimet sekrete kineze mund të vendosen Hong-Kong që gëzon statusin e zonës së veçantë administrative dhe të kenë aty fuqi të gjera. Kjo është arsyeja pse protestat kundër qeverisë kineze, që paralizuan jetën për muaj me radhë gjatë vitit të kaluar, janë ndezur përsëri në Hong Kong.
Fundi i “trajtimit special” për Hong Kongun
Presidenti Trump njoftoi të premten (29.05) se shumë shtetasve kinezë do t’u ndalohet të hyjnë në SHBA dhe se do t’i kërkojë qeverisë amerikane që t’i japë fund politikës që “i jep Hong Kongut një trajtim të ndryshëm dhe të veçantë”. Ndër të tjera qeveria amerikane do të fillojë t’i anulojë të drejtat e veçanta që gëzon Hong Kongu, p.sh. në sektorin e doganave. Duke iu referuar spiunazhit industrial nga ana e Republikës Popullore të Kinës në Shtetet e Bashkuara Trumpi tha po ashtu se studentëve kinezë që “paraqesin rrezik të mundshëm sigurie” do t’u pezullohen vizat për SHBA.
Fraksion.com