DW: Amerika zbërthehet në pjesë përbërëse
Trazirat në dhjetëra qytete amerikane tregojnë pabarazinë e thellë sociale të Amerikës. Presidenti amerikan Donald Trump i përdor protestat për veten e tij – dhe mund të ketë sukses
Trazirat u shkaktuan nga vdekja e dhunshme e George Floyd. I riu i zi u vra në një operacion policor në Minneapolis të hënën e kaluar. Fjalët e fundit të Floyd-it – “Nuk po marr dot frymë” – janë bërë prej kohësh slogane të një lëvizjeje protestuese mbarëkombëtare, siç nuk i ka parë prej dekadash Amerika. Dhimbja dhe indinjata i kanë lënë vendin zemërimit dhe dhunës.
Vdekja tragjike e Floyd-it ushqen një debat themelor për ndarjen sociale të Shteteve të Bashkuara. Kriza e Coronas vepron si një përshpejtues i zjarrit, i cili nxjerr në pah më fort se kurrë më parë pabarazinë e shoqërisë. Kushdo që nuk kishte punë të mirë para shpërthimit të pandemisë, sigurim shëndetësor për të qenë dhe një jastëk financiar, është i ekspozuar në mënyrë të pamëshirshme ndaj virusit.
Mbi të gjitha, janë punëtorët e thjeshtë ata që kanë humbur punën. Në shumicën e rasteve, klasa e mesme kryesisht e bardhë punon nga shtëpia, shpesh me pagë të plotë. Pandemia zbulon pa mëshirë padrejtësitë sociale të Amerikës.
Mblidhen probleme të ndryshme
“Unë besoj se SHBA po përballet me krizën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore,” thotë Christian Hacke, politolog nga Bonni dhe ekspert për Shtetet e Bashkuara. Nga njëra anë, ka një zhgënjim të dukshëm me racizmin, i cili shpërthen përsëri me vdekjen e Floyd-it dhe bëhet më radikal. Nga ana tjetër është rënia ekonomike dhe problemet e brendshme politike të Shteteve të Bashkuara. Kësaj i shtohen pasojat e pashmangshme të virusit të Coronas, të cilat i dëshpërojnë gjithnjë e më shumë amerikanë. “Vdekja e Floidit është vetëm një shkëndijë që e bëri të marrë flakë i gjithë vendin”, thotë Hacke.
Sidoqoftë, protestat zbulojnë: nuk janë vetëm të zinjtë ata që e nxjerrin zhgënjimin e tyre. Në mesin e demonstruesve kryesisht të rinj janë shumë amerikanë të bardhë, shpesh në gjendje të mirë, të cilët janë të paktën po aq të zhgënjyer. Të zhgënjyer me një vend që nuk parandalon dhunën e policisë dhe racizmin, por lejon që të ndodhë. Të zhgënjyer me një vend me një president provokues në krye – dhe pa alternativë politike.
“Po ta shohësh Joe Biden-in në TV, ai duket plak i rrëzuar, si i mbërthyer në tokë në bodrumin e tij. Të krijohet për pak përshtypja se ai nuk është më në gjendje mendërisht të kuptojë gjithçka,” thotë Hacke. Kjo në kontrast me Presidentin Trump, i cili e acaroi krizën me fanatizmin e tij. Një president amerikan që nuk bashkon, por që e ka ndarë vendin që nga marrja e detyrës, duke e gënjyer atë dhe duke aktivizuar instinktet më të ulëta. Vrasja dhe trazirat e përshpejtuan edhe më tej transformimin nga ëndrra amerikane në makthin amerikan. Hacke beson: “Amerika po çmonton veten”.
Kush mund të përfitonte: Trumpi
Presidenti Trump, nga ana tjetër, përfiton nga të gjitha këto. Ai jeton duke ia kundërvënë qytetarët e Amerikës njëri-tjetrit. “Trumpi është presidenti i parë që e sheh veten vetëm si president të njërës anë”, thotë Julius van de Laar, që ka ndihmuar në zgjedhjet e kaluara demokratët. Në vend që të jetë kryetar i shtetit për të gjithë amerikanët – qoftë të zinj apo të bardhë, të varfër apo të pasur – ai është i shqetësuar në radhë të parë për votuesit e tij kryesisht të bardhë, të cilët do ta ndihmojnë atë për të vazhduar mandatin e tij në nëntor.
Shpërqëndrim me shashka tymosëse
Dështimi në krizën e Corona së fundmi i kushtoi megjithatë shumë pikë. Për të hequr vëmendjen nga kjo, ai tani hedh shashka tymosëse, thotë van de Laar. Polarizo për të mobilizuar votuesit: kjo është strategjia e tij. E hidhura në këtë mes, thotë politologu Hacke është “se strategjia e tij për shpërqëndrim mund të ketë sukses”. Amerikanët tradicionalisht në kohë krizash e ndjekin pas presidentin e tyre. Trumpi përfaqëson edhe një proto- amerikan: materialistin, egoisten, edhe ndjenjën e pamëshirshme të lirisë dhe një arrogancë të bardhë, e cila për fat të keq merr një aprovim të heshtur më të madh nga sa mund ta imagjinojmë në Evropë, thotë Hacke. “Kam frikë se shumë të bardhë ndjehen të konfirmuar në racizmin e tyre”.
Fraksion.com