AktualitetKosovaTë fundit

VV’ja s’përjashton protestat, ende pa qëndrim rreth pjesëmarrjes në seancë

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit, ka thënë se Vetëvendosja nuk e përjashton mundësinë për protesta, derisa ka bërë të ditur se ende nuk kanë ndonjë qëndrim se si do të veprojnë për seancën e së mërkurës ku pritet të votohet Qeveria Hoti.

Sipas saj për situatën e krijuar një rol të madh në LDK kanë luajtur ata që s’kanë marrë votën e popullit.

“Një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm kanë pasur ata që s’kanë marrë pjesë fare në zgjedhje. Janë disa figura Veliu, Hyseni, Mustafa që nuk kanë qenë pjesëmarrës në zgjedhjet e fundit dhe që kanë pozita të larta brenda partisë. Nuk e kontestoj të drejtën në aspekt të vendimmarrjes brenda LDK’së, dhe atë legjitimitet e kanë marrë nga strukturat e partisë. Po pres se cili do të jetë kabineti që do të formohet”, ka thënë ajo për KTV’në.

Sipas saj bashkëpunimi në Qeverinë Kurti ishte i mirë ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK’së, me disa përjashtime.

“Qeveria Kurti ka funksionuar me një bashkëpunim të plotë dhe ishte vetëm Veliu që u shkarkua dhe ka pasur disa deklarata të Hotit kur kemi rënë ndesh. Por, ministrat e tjerë kanë kryer punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Inicimi i mocionit të mosbesimit ka qenë një tendencë për të ardhur në pushtet, ndonëse nuk i kanë fituar zgjedhjet. Kjo nuk ka qenë thjeshtë një dëshirë sa për të qenë me AAK porse kanë qenë të bindur se kështu mund ta shtyjnë realizimin e projektit të Thaçit”, ka thënë Nagavci.

Ajo tutje ka folur edhe për peticionin, i cili nga nesër do të jetë edhe fizik.

“Ne kemi iniciuar një peticion me të cilat kërkojmë zgjedhje të reja. Deri më tani kanë kaluar mbi 50 mijë nënshkrues. Jemi kujdesur që të verifikojmë secilin prej nënshkrimeve dhe ato të jenë reale. Kurse nga nesër do të jetë edhe një peticion fizik. Besojmë se do të jetë peticioni më i madh ndonjëherë. Synimi i peticionit është se ne kërkojmë zgjedhje të reja. Në situatën e krijuar duhet të kthehemi edhe njëherë tek qytetari. Ne e konsiderojmë se janë qytetarët ata që duhet të vendosin të ardhmen e këtij vendi”, ka thënë Nagavci.

Sipas Nagavcit subjektet e tjera me refuzimin e tyre për të shkuar në zgjedhje vetëm se e shpërfaqin se ata janë të vetëdijshëm për rezultatin që do të kenë.

“U bë publike dje edhe një raport i UNDP-së për matjen e pëlqyeshmerisë për institucionet”, tha Nagavci.

Ajo tha se në to u pa se pëlqyeshmëria ishte shumë e lartë për kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentaren Osmani.

Tutje ajo ka thënë se nuk i përjashtojnë protestat, porse ajo e 5 qershorit nuk është thirrur nga Vetëvendosja.

“Aq sa kemi parë është se është thirru një protestë për 5 qershor, por për të nuk qëndron prapa Vetëvendosje, e deri më tani nuk kemi vendosur për ndonjë protestë. Në situatën që jemi nuk i përjashtojmë protestat, por sot nuk e di që ka një vendim për organizimin e protestave. Qytetarët janë të frustruar e të shqetësuar për mënyrën e zgjedhjes së qeverisë së re. Ne po përkujdesemi që të ruajmë demokracinë”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se Qeveria Hoti është krejtësisht e varur nga votat e Listës Serbe.

“Nuk jemi takuar sot, kemi pasur një takim pas vendimit të parë. Besoj se nesër do të takohemi prapë, dhe ka disa mendime se si do të veprojmë tutje. Ka disa opsione, mund të shkojmë dhe të votojmë kundër, mund të mos marrim pjesë në votim sepse duket se tashmë i kanë bërë numrat. I pashë nënshkrimet e deputetëve dhe ishin dhjetë votat e Listës Serbe, dhe me anë të votave të saj do të formohet kjo qeveri e cila varet krejtësisht nga Lista Serbe. Por, cilat do të jenë veprimet tona do ta shohim të mërkurën paradite”, ka thënë Nagavci.

Tutje ajo ka folur edhe për deklaratat e presidentit Thaçi.

“Është për të ardhur keq që kemi një president të tillë, gjuha që ai e përdor, diskursi që ai e përdor është një gjuhë që jo vetëm që nuk i bën nder, por e tejkalon gjithë mandatin e tij. Mendoj që pak njerëz i marrin seriozisht deklaratat e tij. Fatkeqësia është se LDK-ja ia ka dhënë mundësinë që ai të jetë president. Kjo e tregon panikun e tij dhe një urrejtje që e ka dhe që ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë drejtim dhe e shfaq atë ashtu siç është”, ka deklaruar Nagavci.

 

Fraksion.com