AktualitetBota+Të fundit

Protestat paqësore shndërrohen në plaçkitje dhe dhunë në shumë qytete amerikane

Protesta paqësore u shndërruan në plaçkitje, vënie zjarri dhe dhunë në të gjithë Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së George Floyd-it ndërsa ishte në paraburgim policor në Minneapolis të Minesotës. Siç njofton Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës, megjithë vendosjen e ndalim-qarkullimeve dhe një rritje të pranisë së forcave të rendit në rrugët e shumicës së qyteteve më të mëdha amerikane, tensionet racore kanë arritur një pikë të nxehtë.

Në trazira të përhapura që nuk janë parë në dekada … qytetet amerikane nga Siatëlli në Uashington D.C u dogjën ndërsa më shumë protesta paqësore gjatë ditës u kthyen në trazira dhe shkatërrime gjatë natën.

Guvernatorët në 12 shtete amerikane kanë aktivizuar trupat e Gardës Kombëtare për të shuar dhunën dhe për të rivendosur rendin.

Ishte masa më e fundit pas një javë tensionesh të përshkallëzuara pasi George Floyd vdiq në arrest policor. Derek Chauvin, oficeri i Mineapolisit i cili e mbërtheu Floydin në tokë duke përdorur gjurin e tij, tani përballet me akuzën e vrasjes së shkallës së tretë në lidhje me vdekjen e Floydit. Por protestuesit kërkojnë më shumë, përfshirë akuzat kundër oficerëve të tjerë të përfshirë.

“Dua të sjell ndryshim për njerëzit e mi sepse kjo ka ndodhur për shumë gjatë dhe gjërat duhet të ndryshojnë kudo sepse asgjë nuk do të ndryshojë nëse vazhdojmë të flasim, ose të vazhdojmë të postojmë diçka në mediat sociale. Kjo është e gjitha”, thotë një protestues në Mineapolis.

Që nga e enjtja, Associated Press raporton se policia ka arrestuar rreth 1.700 njerëz në 22 qytete në të gjithë vendin në lidhje me dhunën që ka lënë të djegura dhjetra biznese, oficerë të plagosur dhe disa demonstrues të vrarë.

Ajo që filloi si përgjigje ndaj vdekjes së Floydit në Mineapolis ka kapërcyer kufijtë e SHBA, duke tërhequr qindra njerëz në rrugët e Londrës në shenjë solidariteti me ata që kërkojnë barazi racore.

“Kemi parë për qindra vjet afrikano-amerikanët dhe njerëzit me ngjyra të abuzohen dhe të vriten në rrugë dhe kjo thjesht po përkeqësohet. Mjaft më, nëse ata nuk do të dëgjojnë ne” thjesht do të thërrasim me zë edhe më të lartë. Nuk do të ndalemi derisa të bëhet diçka. Mjaft Më!. Këta janë njerëz që nuk mbajnë më. Është koha për të bërë disa ndryshime”, thotë një protestues në Londër.

Ligjvënësja e Minesotës në Kongres, Ilhan Omar përfaqëson pjesë të qytetit të Mineapolis në qendrën e demonstratave dhe thotë se duhet të ketë “reforma mbarëkombëtare”.

“Trazirat që po shohim në vendin tone nuk janë vetëm për shkak të jetës që u mor, por gjithashtu sepse shumë njerëz e kanë provuar këtë përvojë. Shumë njerëz kanë përjetuar padrejtësi brenda sistemit tonë”.

Në fjalimin e përgatitur pas nisjes së suksesshme të astronautëve të parë amerikanë në një anije hapësinore komerciale, Presidenti Donald Trump tha se ndërsa ai mbështet protestat paqësore, nuk do të tolerojë shkeljet ligjore dhe shkatërrimin.

“Kujtimi i Xhorxh Floidit po përdhoset nga rebelët, plaçkitësit dhe anarkistët. Dhuna dhe vandalizmi po drejtohet nga Antifa dhe grupe të tjera radikale të krahut të majtë, të cilët po terrorizojnë të pafajshmit, po shkatërrojnë vendet e punës, po dëmtojnë bizneset dhe po djegin ndërtesat “.

Ishte një mesazh që Këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brien mbrojti pas një nate tjetër trazirash.

“Presidenti është i indinjuar nga kjo dhe të gjithë jemi. Kjo duhet të ndalet, dhe ne po i bëjmë thirrje FBI-së të hetojë Antifan dhe të arrijë në konkluzion për këta rebelues të dhunshëm. Nuk dua që ata të ngatërrohen me protestuesit paqësorë që kanë çdo të drejtë për të dalë në rrugë dhe kjo është ajo që e bën Amerikën ndryshe nga shumë vende të tjera të botës”.

Me turmat e mëdha që mblidhen për të demonstruar vjen rreziku i përhapjes së mëtejshme të COVID-19. Ndërsa vazhdojnë trazirat në Amerikë, numri i infeksioneve në Sh.B.A nga koronavirusi po rritet gjithashtu së bashku me numrin e vdekjeve, i cili tani e kalon 100,000.

 

Fraksion.com