AktualitetBota+Të fundit

Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë protestat në qytetet kryesore

Në Shtetet e Bashkuara vazhduan demonstratat në dhjetra qytete, përfshirë kryeqytetin Washington, DC për të protestuar ndaj vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd nën prangat e policisë së Mineapolis. Shumë prej tyre u shndërruan përsëri të dhunshme të shtunën mbrëma dhe në orët e para të së dielës. Guvernatorët e Minesotës dhe 11 shteteve të tjera kanë aktivizuar trupat e Gardës Kombëtare.

Në pesë netët e kaluara, protestat fillimisht paqësore kanë degjeneruar në plaçkitje, vënie zjarri dhe akte të tjera të dhunshme në Mineapolis ku ndodhi vrasja e George Floydi, dhe në qytete të tjera.

“Jemi nën sulm,” tha guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili premtoi se do të përdoret “forcë maksimale” për të rivendosur rendin.

Megjithatë protestuesit dolën përsëri, megjithë një urdhër për ndalim qarkullimi që nga ora 8 e mbrëmjes.

“Dua të sjell ndryshim, për njerëzit e mi sepse kjo ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe gjërat duhet të ndryshojnë”, tha një protestues në Minneapolis.

Në kryeqytetin amerikan, Uashington DC policia lëshoi spërkatës djegës ndaj demonstruesve pranë Shtëpisë së Bardhë dhe Garda Kombëtare u thirr, ndërsa shpërtheu dhuna aty këtu, natën e dytë të protestave ndaj vdekjes së Floyd-it dhe reagimit të Presidentit Donald Trump ndaj saj.

Nga Florida, ku kishte shkuar për të parë nisjen e raketës SpaceX, ai shprehu keqardhjen për vrasjen e Floydit dhe foli për dhunën në qytetet amerikane.

“Kriminelë të së majtës radikale, banditë dhe të tjerë në gjithë vendin dhe në gjithë botën, nuk do të lejohen t’u vënë flakën komuniteteve. Nuk do ta lejojmë. Dëmton ata që janë më në nevojë dhe ne do t’i mbrojmë ata që kanë më pak”.

Ai vlerësoi vendosjen e trupave të Gardës.

Protestuesit thërrisnin “Pa drejtësi, nuk ka paqe”. Disa objekte, si dyqane dhe restorante u vandalizuan.

Los Angeles, pa një nga protestat më masive, por edhe ndër dëmet më të mëdha, siç u shpreh Shefi i Policisë së qytetit, Michel Rey Moore.

“Kemi pësuar dëme të jashtëzakonshme dhe humbje të jashtëzakonshme pronash të bizneseve që po vuajnë në pandeminë më të rëndë në 100 vjet”.

Përmasat e shkatërrimit në Los Angeles po krahasohej me trazirat e vitit 1992, ku pati mbi 1 miliardë dëme materiale.

Associated Press njofton se afro 1.400 njerëz janë arrestuar në 17 qytete që nga e enjtja. Por ndërsa protestat vazhduan deri në orët e para të së dielës ky numër mund të jetë më i lartë.

Në Nju Jork, edhe mbrëmë pati konfrontime mes policisë dhe protestuesve megjithë thirrjen e autoriteteve për qetësi. Një protestuese, foli për dëshpërimin që ndjejnë afrikano-amerikanët, por tha se dhuna nuk është rruga e duhur.

“Policia e Nju Jorkut ka punën e vet për të bërë, ashtu si ne. Si afrikano-amerikanë në këtë komunitet, duhet ta kuptojmë se policia ka punën e saj. Mund të protestojmë paqësisht. Gjithë kjo djegie gjithandej ëshë e pajustifikueshme”, tha ajo.

Oficeri i policisë, Derek Chauvin, ishte kapur në video të hënën me gjurin në qafën e Floyd-it, që ishte me duar në pranga dhe i paarmatosur. Chauvin e kishte mbajtur gjurin në qafën e Floydit për tetë minuta dhe 46 sekonda. Mbi të janë ngritur akuza për vrasje.

 

Fraksion.com