Sprapsje prej globalizimit?
Nga Nicolas Martin
Sa më të degëzuara dhe ndërkombëtarizuara hallkat e furnizimit, aq më me risk janë ato. Me krizën Corona ekonomia po përballet me kostot e larta humbjesh dhe po reagon. A ka nisur vallë sprapsja prej globalizimit?
Edhe gjatë pandemisë kur një pjesë e madhe e botës ishte izoluar prej masave kufiziuese, tek Dachser as që mendohej për paralizim: “Ka pasur shumë rënie në transportin e mallrave të ndryshme industriale si dhe në degën e automobilëve, por degët e afërta me konsumin si ushqimet kanë pësuar një bum”, thotë sagt Andreas Froschmayer, i cili është përgjegjës në firmë për orientimin strategjik. Edhe dega e logjistikës po përballet me pasojat e virusit Corona.
Pikërisht në industri Dachser po përgatitet tani për një kthesë. “Shumë klientë do të shqyrtojnë, nëse është e arsyeshme, që të kenë rrjete furnizimi diku në botë”, thotë Froschmayer.
Jo vetëm shoku prej Coronas ka nxjerrë në pah se sa të brishta janë rrjetet e furnizimit, por edhe politikisht ndërkohë po vijnë sinjale kundër ndarjes mbarë botërore të punës. “Këto rrjete të mallkuara furnizimi. Edhe nëse vetëm një pjesë e botës nuk funksionon, gjithçka përfshihet nga kaosi. Ne duhet sërish t’i kemi ato në SHBA”, tha presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Ai nuk është i vetëm me keto kritika. Ekspertët e mjedisit e shohin ndarjen ndërkombëtare të punës si një marrëzi ekologjike. Shumë ekspertë të tregtisë kritikojnë ndarjen e punës si jo rezistente ndaj goditjeve të shokut nga jashtë si në rastin e krizës Corona. Sipas një anketimi të kompanisë së konsulencës për strategjitë McKinsey, një në katër sipërmarrje në Gjermani, po mendon që ta ulë intensitetin e zhvendosjes jashtë vendit të pjesëve të rrjetit të furnizimit.
Tendenca për rrjete furnizimi me distanca më të vogla është vërejtur që prej dhjetë vjetësh, thotë ekonomisti Hartmut Egger: “Pas krizës financiare shumë sipërmarrje kanë reaguar duke i kërkuar prodhuesit dhe furnizuesit e tyre në afërsi.” Kështu për Europën prodhimi në vendet e Europës Lindore dhe në Afrikën Veriore ka qenë më me meinteres.
Kriza Corona mund ta përforcojë tani këtë tendencë. “Një krizë nxjerr në pah edhe realitetin e kostove. Si rrjedhojë sipërmarrjet tani mund ta kuptojnë më mirë, se sa kushton nëse asaj u mungojnë rrjetet e furnizimit”, thotë Egger për DW.
Distancim prej prodhimit just-in-time
Se çfarë avantazhi ka ta kesh vet në dorë rrjetin e furnizimit, këtë e vëren tani prodhuesi i impianteve të kopshtarisë dhe bujqësisë Stihl. Produkti më i eksportuar aktualisht i sipërmarrjes nga Baden-Vyrtembergu është sharra elektrike. Ajo shitet në më shumë se 160 vende. Gjysma e të gjitha pjesëve përbërëse të saj prodhohet nga vetë firma Stihl. Kësisoj kjo sipërmarrje është dalluar tani në kohën e pandemisë kundrejt konkurrencës, thotë zëdhënësi i sipërmarrjes Stefan Caspari. “Ne kemi vazhduar prodhimin dhe shitjen.”
Edhe kjo sipërmarrje pati humbje dhe ndërprerje të prodhimit, por humbja u kompensua me rezervat qe ajo kishte. Kjo pasi ndryshe nga shumë sipërmarrje të tjera Stihl nuk e përqendron prodhimin e saj në modelin e furnizimit “just in time”, por ka gjithmonë një depozitë të mirë të disponueshme në çdo kohë. “Sigurisht që krijimin e depozitave duhet të jesh në gjendje ta përballosh fillimisht, por tani në kohën e pandemisë, kjo tregoi se ia vlen”, thotë Caspari në bisedë për DW.
Sipas Hartmut Egger nga Universiteti i Bayreuth-it intensifikimi i rezervave nëpër magazinat e sipëmarrjeve mund të jetë një tendencë e re pas pandemisë. “Sa më komplekse rrjetet e furnizimit, aq më i lartë është risku për ndërprerjen e tyre. Këtë risk sipërmarrjet mund ta minimizojnë përmes magazinimit.”
Deri më sot shumë ndërmarrje për arsye kostosh kanë hequr dorë prej depozitave të mëdha. Çështja është tani, se sa mendojnë firmat për një valë të re shoku faktik dhe se sa do të jenë ato në gjendje të marrin parasysh kostot shtesë për magazinim”, thotë Egger.
Tek sipërmarrja e logjistikës Dachser ndërkohë mendojnë, se nuk do të ketë sprapsje të globalizimit. Në mbarë botën koncerni ka 170 magazina depozitash. “Magazinimi i mallrave është një fushë e së ardhmes. Për t’i pasur më të qëndrueshme rrjetet e furnizimit, sipërmarjeve u duhet më shumë depozitë”, mendon Froschmayer. Pas pandemisë disa gjëra do të jenë ndryshe nga sa ishin para kohës së krizës Corona. “Ne megjithatë besojmë, që logjistika ndërkombëtare do të vazhdojë të ekzistojë ashtu si edhe më parë. Kjo do të thotë, që sërish do të ketë potencial për ndarjen e punës në mbarë botën.”
Edhe ekonomisti Egger nuk beson, që do të ketë ndonjë kthesë radikale drejt deglobalizimit. Sepse sprapsja e rrjeteve të furnizimit mund të bartë edhe disavantazhe. “Në një rast të tillë do të thotë të heqësh dorë prej avantazhit të kostove që sjell zhvendosja e punës. Nga ana tjetër përqendrimi më i fortë tek rajonalizimi mund të bëjë që të përballesh edhe me një shok të brendshëm, si p.sh. vërshime apo të tjera dukuri të ngjashme.”/DW
Fraksion.com