Kosovë: Qeveria forcon reciprocitetin ndaj Serbisë – reagime në Bruksel, Beograd e Prishtinë
Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi që nga sot të mos lejohet hyrja e mallrave nga Serbia, dokumentet e të cilave nuk i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues. Vendimi nxiti reagimin e Beogradit, të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, por edhe kundërshtimin e presidentit të Kosovës dhe të mandatarit të tij për formimin e qeverisë së re.
Sipas vendimit të qeverisë, asnjë maune me mallra serbe nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk shkruan Republika e Kosovës dhe të gjitha duhet të jenë të pajisura me leje hyrëse të lëshuara nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.
Vendimi i qeverisë nxiti zemërim në Beograd. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha se masat e reja janë të papranueshme dhe nuk do të ketë bisedime derisa nuk hiqen ato.
Ndërsa, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, u shpreh i zhgënjyer me masat e reja të të qeverisë së Kosovës. Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, zoti Lajçak tha se “këto veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e bisedimeve duhet të hiqen menjëherë”. Ai ritheksoi se palët duhet të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e arritura në të kaluarën.
Vendimi i qeverisë në detyrë u kundërshtua nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili shkroi në rrjetet sociale se “në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, shkroi ai.