SpaceX lëshon dy astronautë në hapësirë për udhëtimin historik
Nisja drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës e dy astronautëve të NASA-s në bordin e raketës Falcon 9, u bë realitet të shtunën pasdite, pas një prove të dytë.
Lëshimi i astronautëve, Kolonelit të Marinsave Doug Hurley dhe Kolonelit të Forcave Ajrore Bob Behnken, i jep fund një pauze nëntë vjeçare të NASA-s.
Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, u lëshua nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida dhe udhëtimi deri në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës zgjat 19-orë.
Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence panë lëshimin e anijes vga Cape Canaveral i Floridës.
10 minuta pas nisjes, faza e parë e raketës Falcon 9 u nda nga pjesa tjetër dhe u ul me sukses në Tokë për t’u përdorur përsëri. Më pas u nda edhe faza e dytë e raketës dhe kapsula e astronautëve vazhdoi udhëtimin drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
Për Elon Musk, ngjarja e së shtunës shënon një tjetër moment historik për raketat me shumë përdorime të kompanisë kaliforniane Hawthorne, të cilat e bëjnë fluturimin hapësinor më pak të kushtueshëm dhe më të shpeshtë.
Kjo shënon gjithashtu herën e parë që një mjet hapësire i zhvilluar dhe operuar në mënyrë private, e jo NASA, dërgon amerikanë në orbitë rreth Tokës.
ASTRONAUTËT
Kur anija e hapësirës Atlantis u nis për herë të fundit nga Cape Canaveral më 8 korrik 2011, ajo drejtohej nga astronauti i NASA-s Doug Hurley.
Tani gati një dekadë më vonë, Hurley është një nga dy pilotët e provës për anijen raketë krejt të re të prodhuar nga SpaceX për këtë fluturim.
Astronautët e NASA-s, Koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe Koloneli i Forcave Ajrore Bob Behnken janë shokë klase, miq, veteranë të eksplorimit të hapësirës, të martuar me veterane të hapësirës dhe kanë të dy djem të rinj.
Ata përdorin të njëjtën platformë lëshimi ku Atlantis mbylli programin e nisjeve në 2011, viti i fundit i lëshimit nga vendi i tyre për astronautët e NASA-s.
“Tetë vite e gjysëm, nëntë vite më vonë, shohim se jo vetëm jemi gati të fluturojmë mjetin e parë me ekuipazh drejt Stacionit Hapësinor, por kemi edhe ngazëllimin se mund të rikthehemi ndoshta në Hënë pas pak vitesh. Pasi ulëm anijen Atlantis në 2011, nuk do të kishim menduar kurrë se do ndodheshim këtu nëntë vite më vonë. Është shumë më mirë se ç’e kisha imagjinuar“, thotë Hurley.
Që atëherë, e vetmja mënyrë për të shkuar në stacionin hapësinor për astronautët ka qenë me raketa ruse të lëshuara nga Kazakistani.
Hurley do të drejtojë nisjen dhe uljen, një detyrë e përshtatshme për pilotin e fluturimit të fundit të anijes hapësinore të NASA-s.
Behnken, një inxhinier mekanik me gjashtë shëtitje në hapësirë në biografinë e tij, do të mbikëqyrë kontaktin dhe uljen në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).
Hurley, 53 vjeç dhe Behnken, 49 vjeç, janë ekuipazhi i parë i pilotëve të NASA-s në dekada.
Hurley dhe Behnken janë martuar me kolege astronaute të NASA-s: Karen Nyberg dhe Megan McArthur. Secili çift ka nga një djalë, në moshën dhjetë dhe gjashtë vjeçare.
Megjithëse kapsula e ekuipazhit Dragon dhe sistemi i saj i shpëtimit tashmë janë demonstruar në fluturime me manekinë, nuk ka ndonjë garanci. Në fluturimin hapësinor, kurrë nuk ekziston një gjë e tillë.
“Mendoj se janë kaq shumë faktorë teknikë dhe gjëra tek të cilat duhet të përqëndrohemi për t’u siguruar që do t’ia dalim mbanë, për vendin tonë në histori, apo qoftë edhe duke u përpjekur t’i vendosim emrat tanë në të njëjtat fjali si njerëzit që kanë qenë përpara nesh. Duket e parakohshme derisa ta kemi realizuar“, thotë Behnken.
Fluturimi i tyre shënon rikthimin e nisjes së astronautëve nga Shtetet e Bashkuara, si dhe të parin e këtij lloji nga një kompani private.
Fraksion.com