AktualitetPolitikëTë fundit

Reforma Zgjedhore; Diskutimet në Këshillin Politik: Palët nuk arritën dakordësinë

Pas 4 orësh diskutime të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore palët nuk kanë arritur dakordësinë për implementimin e teknologjisë në zgjedhje si dhe reformimin e administratës zgjedhore.

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh lidhur me kërkesat e opozitës se “shpresoj të mos jenë sebepe për të mos e hedhur në erë këtë reformë“.

Ne, tha Gjiknuri, duam të gjejmë rregulla zgjedhore të përbashkëta, por nuk mund të mbahemi peng.

“Vullneti ynë ka qenë i qartë dhe ne morëm përsipër dhe u angazhuam për të implementuar teknologjinë për identifikimin elektronik të zgjedhjeve dhe çështjen e votimit elektronik. Iu drejtuam ODIHR dhe na thanë se sistemi elektronik në zgjedhje duhet të implementohet gradualisht, jo më shumë se 10 %. Ne po e shtrijmë edhe më shumë këtë përqindje dhe po i lemë PD-së të zgjedhë zonat. Jemi gati sërish t’i drejtohemi ODIHR dhe nëse ODIHR kthen përgjigje pozitive po e marrim atë risk, por jo nesër të vij ODIHR e të thotë se dështoi sistemi, duke vënë në rrezik zgjedhjet”, tha ai.

Sipas Gjiknurit, “në këtë mënyrë vihen në rrezik zgjedhjet. Kjo është një çështje e pazgjidhur por do të mundohemi të akomodojmë çdo interes të PD që është i ligjshëm dhe i mundshëm”.

Por shtoi Gjiknuri, nuk mund të vihet në tavolinën e diskutimeve me kushte.
Sa i përket ndryshimit të sistemit, Gjiknuri tha se kjo çështje do të diskutohet në një fazë të dytë.

“U ra dakord që sistemi të trajtohet në fazën e dytë të reformës zgjedhore, se pas mbarimit të kësaj faze me konsensus të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR të përfundojë. Faza e dytë do të ketë reformimin e partive politike dhe ligjin për referendume. Janë dy propozime që na ndajnë teknologjia në zgjedhje dhe reformimi i administratës zgjedhore”, tha ai.

Lidhur me depolitizimin e administrimit të zgjedhjeve, Gjiknuri tha se kemi arritur të ofrojmë kompromis. “Kemi ofruar hapjen e çdo kutie pas nxjerrjes së rezultatit zgjedhor. “Ne nuk na u dha mundësia të hapnim kutitë e një qarku, por ne po e ofrojmë për të gjithë Shqipërinë këtë dhe për çdo parti”, tha Gjiknuri.

Kjo sipas tij, i bën përgjegjës komisionerët, pasi tashmë ata e dinë që kutitë dhe materialet zgjedhore mund të hapen dhe për çdo shkelje ata do të shkojnë para ligjit.

Po ashtu, tha Gjiknuri kemi propozuar monitorimin me kamera që nëse ka pretendime për shkelje të procedurave të votimit merret kamera dhe provohet.

Opozita: U refuzuan të gjitha propozimet tona

Nga ana e tij përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi deklaroi se të gjitha propozimet e opozitës janë refuzuar në tryezë.

“Kemi bërë propozime për të garantuar votën që kur ajo të hidhet prej zgjedhësve të numërohet e paprekur dhe rezultati të përcaktojë fituesin. Të gjitha propozimet tona janë refuzuar pavarësisht fleksibilitetit tonë për çështje të caktuara. Ne jemi përballur me refuzimin e të gjitha çështjeve që garantojnë procesin zgjedhor. PS nuk ka interesin e reformës zgjedhore dhe as të qytetarëve”, tha Bylykbashi.

Përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili u shpreh se propozimet e opozitës nuk privilegjojnë opozitën, por e vendosin atë në kushte të barabarta në procesin zgjedhor.

“Opozita nuk tërhiqet asnjë centimetër nga ato standarde që janë aktualisht dhe të hyjë në standarde që nuk kanë qenë asnjëherë. Partia Socialiste synon të minojë reformën zgjedhore, duke e miratuar në mënyrë të ngjashme. Propozimi i opozitës nuk i jep asnjë privilegj opozitës, por vendos në kushtet të barabarta qeverinë dhe opozitën në komisionet e administrimit zgjedhor. Por, PS nuk kërkon paritet, por kërkon që të mos ketë asnjë sy tjetër në tavolinë”, deklaroi ai.

Hajdari: 

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u shpreh se palët nuk duan ndryshim sistemi dhe pse ajo propozoi një model të mbështetur nga SHBA dhe ndërkombëtarët me lista pjesërisht të hapura.

“Nuk kuptoj pse PD nuk e përfaqëson këtë ide të ndryshimit të sistemit. Erdha për të gjetur një formulë kompromisi që ta pranonin të gjitha palët dhe sot propozova një formulë të mbështetur edhe nga ndërkombëtarët dhe nga SHBA që e hap listën pjesërisht dhe këtë ma hodhën poshtë. Pse këta njerëz kanë kaq frikë për të hapur listat dhe t’i dhënë qytetarët mundësinë të zgjedhin kë duan”, u shpreh ajo.

Hajdari tha se nuk e kupton Bashën pse kërkon të mbajë këtë sistem që e ka bërë Ramën perandor dhe të gjithëpushtetshëm.

“Unë nuk dorëzohem pasi nga një anë kemi klasën e vjetër politike, nga një anë qytetarët që duan ndryshim sistemi dhe në parlament të futen ata që e meritojnë”, tha Hajdari.

 

Fraksion.com