AktualitetPolitikëTë fundit

“Përbalti me sajesa nënën e të miturit”; PD: Ardi Veliu të shkarkohet; Justifikoi dhunën policore

Partia Demokratike ka kërkuar sot shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, referuar deklaratave të tij për një grua, nëna e një 15-vjeçari të dhunuar nga policia pak ditë më parë.

Ish-deputetja e PD-së Orjola Pampuri deklaroi sot se Ardi Veliu, me zë dhe figurë, ka dhunuar sot për herë të dytë viktimën e policisë,. Sipas saj, duke përgojuar dhe sajuar të pavërteta kundër nënës së djalit të rrahur barbarisht, Ardi Veliu justifikoi dhunën policore kundër minorenit.

Deklatata e PD:

Pak ditë më parë e gjithë Shqipëria pa e tronditur sesi një i mitur 15-vjeçar u rrah barbarisht nga policia në Tiranë pse kishte shkelur orarin e karantinës. Ndaj policit me sjellje shtazore sot nuk ka asnjë masë domethënëse nga shërbimi i Çështjeve të Brendshme në Policinë e Tiranës.
Nën presionin e vetingut partiak dhe korruptiv në polici, ai po zvarrit çështjen prej 2 javësh, sepse mbrojtësi i policit dhunues të fëmijës gjendet në krye të Policisë së Shtetit.
Ardi Veliu, me zë dhe figurë, ka dhunuar sot për herë të dytë viktimën e policisë. Duke përgojuar dhe sajuar të pavërteta kundër nënës së djalit të rrahur barbarisht, Ardi Veliu justifikoi dhunën policore kundër minorenit.
Ju ftoj të ndjekim pohimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të parë vetë me sytë tuaj, të dashur qytetarë, se në dorë të kujt është siguria jonë dhe e fëmijëve tanë.”

 

Fraksion.com