Meta: Do shpall menjëherë zgjedhjet e përgjithshme të 2021, të futet kush të dojë
Presidenti Ilir Meta paralajmëroi ditën e sotme se do të shpallë menjëherë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2021 pas miratimit të Reformës Zgjedhore, pa u konsultuar me asnjë parti politike, ndërsa shtoi se le të marrë pjesë më pas kush të dojë. Sipas Kodit Zgjedhor që është në fuqi, në nenin 9, pika 2 thuhet se Presidenti i Republikës ka të drejtë për të shpallur datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para.
Duke konsideruar se koha e zgjedhjeve është spostuar me fashën e re 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor, duke marrë në konsideratë zgjedhjet në pranverë, pra në fashën e parë, Presidentit i lejohet që të shpallë datën e zgjedhjeve të reja për vitin e ardhshëm edhe në ditën e parë pas marrëveshjes, pra që në fillim të qershorit nëse dëshiron.
Pra, shkelje do të ishte nëse do ta shpallte datën më vonë se gushti, por jo përpara, pasi askush nuk e ndalon që të shpallë ditën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm edhe ditën e hënë të javës që vjen. Por lëvizja e çuditshme e kreut të shtetit me paralajmërimin që bëri sot ngre shumë pikëpyetje, pasi duket një plan i tij.
Presidenti Meta tha se me miratimin e reformës zgjedhore ai do të shpall ditë e zgjedhjeve të ardhshme brenda hapësirës ligjore që i jep kushtetuta e ligji. Meta tha se këtë do e bëjë pa u konsultuar me paritë dhe kush të dojë le të futet në zgjedhje.
“Po bëj të qartë se në të hapësirën kohore që kodi do më lejojë, i miratuar me konsensus apo jo, në hapësirën që më jep Kushtetuta do të bëjë shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme, të ardhshme menjëherë pa u konsultuar me asnjë parti pasi jam i sigurt që të gjithë mezi po presim. Dekreti i presidentit është shumë i qartë, firmos dhe kushdo të hyjë në zgjedhje kush nuk do të mos hyjë është problemi i tij”, tha Meta
Fraksion.com