Kurti: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i padrejtë dhe i papranueshëm
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi të padrejtë dhe si të tillë të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila vlerësoi të enjten mbrëma se dekreti i presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë është pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata tha mes tjerash se “votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re”.
Kryeministri në detyrë shkruan mes tjerash se “gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inekzistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit. Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon”.
Zoti Kurti thotë se lëvizja Vetëvendosje nuk kishte shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, “mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”.
Disa nga përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje thanë se vendi mund të përballet me “revoltë qytetare” pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Një ditë më parë veprimtarët e kësaj lëvizjeje organizuan në sheshet qendrore të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.
Më 30 prill presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Presidenti Thaçi tha të premten se “duhet që sa më parë të themelohet qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë qeveri funksionale, efektive dhe efikase. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha institucioneve, partive politike, të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pra, të zbatojnë dhe respektojnë. I ftoj liderët institucionalë dhe partiakë që të punojmë së bashku që të kemi një tranzicion të rregullt”.
Lidhja Demokratike e Kosovës paralajmëroi mundësinë që më së largu të hënën të mbahet mbledhja e parlamentit për miratimin e qeverisë së koalicionit të saj me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe pakicat kombëtare.
Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit dy muaj ma parë, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për t’i dhënë fund koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian bënë thirrje për respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe një “një tranzicion të rregullt”./voa
Fraksion.com