“Përfundon mbledhja e Tryezës Zgjedhore”; Gjiknuri: Depolitizim të administratës zgjedhore
Përfaqësuesi i mazhorancës në Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri pas mbledhjes prej 4 orësh tha se palët ranë dakord për votim elektronik, por kërkohet plan implementimi.
“Sot kishim mbledhjen ku u trajtua roli i policisë, parandalimi i krimit zgjedhor, masat ekstreme që kërkon opozita përfshirë edhe kamerat. Kemi debat edhe për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ne kemi rënë dakord për votim elektronik në zgjedhje. Kërkohet identifikimi i zgjedhësve dhe përfshirja ku është e mundur të votimit dhe numërimit elektronik. Ne duam, por ODIHR thotë se teknologjia duhet të përfshihet gradualisht dhe në mënyrë të qartë. Nuk është cështje dëshire, por duhet parë.
Jemi dakord për teknologjinë. Por zgjedhjet nuk mund të vihen në diskutim, është apo jo teknologjia. Uroj që kjo të mos përdoret si sebep. Kemi rënë dakord për hapje të kutive normalisht, monitorimi i qendrave të votimit me kamera etj. Por ne nuk kemi dhënë dot garanci 100 përqind. ODIHR ka kthyer përgjigje e thotë se rekomandohet se teknologjia nuk duhet më shumë se 10 përqind e duhet bërë shkallë shkallë. Por edhe votimi tradicional njihet nga ndërkombëtarët”, tha Gjiknuri.
Në lidhje me depolitizimin e zgjedhjeve, Gjiknuri u shpreh se maxhoranca ka rënë dakord për këtë pikë, kurse shtoi se opozita kërkon përfaqësues politik.
“Ne jemi për depolitizim të administratës zgjedhore. Mirëpo, opozita u tërhoq. Dispozitat janë gati. Ka vend edhe për propozimet që ka dhënë opozita. Besoj se kemi formulë alternative kompromisi. Por jo cdo dëshirë mund të kthehet në realitet. Për praninë e policisë në zgjedhje, nuk ka model që të ketë drejtor policie për zgjedhje. Kjo nuk njihet në asnjë vend të botës.
Policia nuk është vetëm për organ i përkohshëm për zgjedhje. Policia ka misione të tjera. Ka standard për policimin. Zonja Hajdari dhe të tjerët kërkojnë sisteme të ndryshme. Cështja e sistemit do të lihet pas miratimit të Kodit Zgjedhor. Megjithatë, nëse të gjitha partitë bien dakord për një sistem atëherë jemi dakord”, vlerësoi Gjiknuri.
Fraksion.com