AktualitetKosovaTë fundit

Kushtetuesja pajtohet me dekretin e Thaçit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

“Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës”, thuhet në vendim.

Gjykata ka sqaruar se kur një qeveri nuk i mbijeton një mocioni mosbesimi në kuvend dhe partia fituese e zgjedhjeve, por nëse kjo parti dështon të mandatojë një kandidatë për kryeministër, atëherë e drejta i kalon një partie tjetër.

“Në të gjitha rastet kur dorëheqja e kryeministrit apo mbetja e postit përkatës i lirë për arsye tjera, ka rezultuar në rënien e qeverisë edhe kur dorëheqja e qeverisë është rezultat i një mocioni të suksesshëm mosbesimi, me kushtin që pas këtij mocioni nuk ka pasuar shpërndarja e kuvendit sipas parimeve të sqaruara më lart, aktivizohet paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës, i cili detyron presidentin për të mandatuar kandidatin e ri për kryeministër”.

“Partia politike ose koalicioni i cili e ka të drejtën e parë të propozimit të mandatarit për Kryeministër dhe formimit të qeverisë është sërish partia politike ose koalicioni fitues. Për formimin e kësaj qeverie duhet të ndiqet procedura e përcaktuar përmes paragrafit 2 dhe 3 të nenit 95 të Kushtetutës, ndërsa, dështimi i marrjes së votave të nevojshme në kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Pas vendimit të publikuar nga Kushtetuesja, presidenti Thaçi u bëri thirrje partive politike që ta respektojnë këtë vendim dhe kërkoi që sa më shpejt të formohet një qeveri e re.

“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bën thirrje institucioneve dhe partive në vend, që të respektojnë vendimin e Kushtetueses.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Atëbotë, Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.

Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, partnerja e koalicionit, LDK-ja, nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

LDK-ja madje ka përpiluar programin qeverisës dhe e ka bërë publik atë para Grupit të saj Parlamentar, para se Gjykata Kushtetuese të vendoste rreth çështjes së formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti insiston në mbajtjen e zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit dhe LDK-ja shprehet se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, por të qeveriste nga një ekzekutiv i ri, me fuqi të plota kushtetuese.

Presioni mbi Gjykatën Kushtetuese

Që nga dita kur u rrëzua qeveria, u ashpërsua gjuha politike në Kosovë, kryesisht mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Derisa pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Thaçi për të mandatar Avdullah Hotin e LDK-së, shpeshherë ashpërsimi i gjuhës dhe kundërshtimeve u interpretua si presion mbi Gjykatën Kushtetuese.

Më 19 maj përmes një reagimi, Gjykata Kushtetuese tha se diskursi publik kërcënues i përdorur nga presidenti dhe kryeministri në detyrë ka për qëllim ndikimin apo paragjykimin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re.

“Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politikë dhe institucionalë për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, u tha në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 28 maj, Vetëvendosje mbajti në tubim, që e cilësoi si “provë për protestë” gjatë pandemisë së koronavirusit dhe mbështetësit e kësaj partie bën thirrje për zgjedhje të reja.

Vetëvendosje bën “prova” për protesta
Çka ndodhi me qeverinë?

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve pas shumë javësh negociata arriti marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës në fillim të muajit shkurt.

Por, koalicioni mes këtyre dy subjekteve politike zgjati vetëm 45 ditë.

Që nga ditët e para të bashkëqeverisjes u shfaqën mospajtime.

Heqja e tarifës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e që ishte kërkesë amerikane, ndau në dysh koalicionin qeverisës.

Vendimi final për tërheqje të LDK-së nga koalicioni me Vetëvendosjen u morr pasi kryeministri Albin Kurti, shkarkoi nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliun, një prej figurave kyçe të LDK-së.

Pas këtij vendimi LDK-ja mblodhi nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të votohej mocion mosbesimi për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Më 25 mars, me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës rrëzoi qeverinë.

Që nga ajo ditë Kosova vazhdon të udhëhiqet nga një qeveri në detyrë, në kuadër të së cilës, vazhduan punën edhe ministrat e LDK-së.

 

Fraksion.com