Apostolova dhe Wigemark kërkojnë që gjyqësori të shqyrtojë rastet penale
Shefi i Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të ndërhyjë urgjent për të parandaluar rifillimin e procedurës gjyqësore për dhjetëra dosje të profilit të lartë, shqyrtimi i të cilave ka ngecur për shkak të mugesës së seancave dëgjimore gjatë pandemisë.
Ai këto komente i bëri përmes një postimi në rrjetin social Twitter, pas një takimi që ka pasur, së bashku me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj.
Zyrtarët evropianë kanë kërkuar që të ruhet efikasiteti gjyqësor në çështjet penale gjatë krizës së pandemisë.
Good meeting w/ #SkenderCocaj & @LarsGWigemark today on maintaining judicial efficiency in criminal cases amidst Covid-19 challenges, including visa lib track record. Urged judicial authorities to take actions to minimize pandemic impact on case resolution & offered EU support. pic.twitter.com/Rn1Hv6ZL2U
— Nataliya Apostolova (@ApostolovaEU) May 28, 2020
“Iu kërkua autoriteteve gjyqësore të ndërmarrin veprime për të minimizuar ndikimin e pandemisë në zgjidhjen e këtyre çështjeve”, ka shkruar Apostolova në rrjetin Twitter.
Disa prej këtyre çështjeve ndërlidhen edhe me monitorimin që i bën BE-ja rasteve gjyqësore të profilit të lartë, zgjidhja e të cilave ndikon në procesin e liberalizimit të vizave.
Që nga raportimi i rasteve të para me koronavirusin e ri në muajin mars, gjykatat edhe prokuroritë në Kosovë nuk janë duke u marrë me raste tjera përveç atyre që lidhen me paraburgime ose dhunë në familje.
Kjo mënyrë e funksionimit është duke vazhduar ende, pavarësisht lehtësimit të masave për lëvizje të lirë nga autoritetet përkatëse.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kanë thënë se aktualisht në gjykatat e Kosovës po kryhet punë me kapacitete mbi 30 për qind dhe se aktualisht, nuk po shqiptohen vendimet gjyqësore, përveç rasteve urgjente.
Kryesuesi i këtij këshilli, Skënder Çoçaj, i tha Radios Evropa Lirë, më 26 maj, se janë në pritje të vendimeve të autoriteteve kompetente për lejimin e kthimit të stafit në gjykata.
Zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë problem, i cili gjyqësorin po e përcjellë në vazhdimësi për dy dekada.
Aktualisht në Kosovë janë mbi 200 mijë lëndë të pazgjidhura, e që numri më i madh i tyre është në gjykatat themelore./rel
Fraksion.com