Tryeza e “Zgjedhores” pranon propozimin e opozitës
Ndryshe nga varianti aktual ku Presidenti detyrohet të caktojë datën në një nga 2 të dielat e fundit të periudhës, tani presidenti nuk ka kufizim.
Ai mund të dekretojë zgjedhjet në secilën nga të dielat brenda periudhës së re të miratuar.
Opozita propozoi shkurtimin e periudhave, në mënyrë që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës.
Propozimet e opozitës:
1. Financimi i partive
Opozita propozon një ligj që ul në minimum financimin privat të partive dhe eliminon korrupsionin
Ligji i propozuar nga opozita forcon rregullat e transparencës, verifikimit të financimit dhe sanksionet. Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike. Në këtë mënyrë eleminohet mundësia e favorizimit të tyre të paligjshëm.
Opozita propozon që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti. Aktualisht, partitë lejohen të shpenzojnë sa 10 herë shuma e financimit publik. Psh. Kur ajo merr nga buxheti 30 milionë lekë, financimi privat do të jetë 15 milionë lekë dhe jo 300 milionë, siç është aktialisht. Ligji shton mekanizmat shtetërorë e kontrollit të shpenzimeve në fushatë, me qëllim eleminimin e përdorimit të parave të pista në zgjedhje. Propozimi është në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.
2. Kuota gjinore
Në mënyrë që të zbatohet realisht përfaqësimi në lista të jo më pak se 30% gra dhe 1 ndër 3 emrat e parë të listës të jetë grua, opozita propozon që partitë apo koalicionet të kenë aq kandidatë sa numri i mandateve në qark. Asnje kandidat më shumë të mos pranohet. Aktualisht, lista e pakufizuar dhe vendosja e grave në fund të listës e bën joefektive kuotën 30%. Sanksioni për shkeljen e kuotës gjinore nuk është më gjoba, por refuzimi i regjistrimit të listës për qarkun përkatës.
3. Periudha zgjedhore
Opozita kërkon shkurtimin e periudhës zgjedhore në të dy sezonet e parashikuar aktualë. Nga 3 muaj kërkohet që të bëhet 1 muaj. Opozita propozon që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Periudhat e zgjedhjeve të propozuara nga opozita janë 15 Prill-15 Maj dhe 15 Tetor – 15 Nëntor.
Fraksion.com