SpaceX gati misionin me astronautë
Sipërmarrësi Elon Musk i kompanisë SpaceX është i vendosur të nisë dy astronautë amerikanë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar të mërkurën nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida, duke i dhënë fund kështu pauzës nëntëvjeçare të agjencisë hapësinore amerikane në dërgimin e njerëzve në hapësirë.
Kapsula Dragon, në bordin e së cilës do të jenë astronautët Doug Hurley dhe Bob Behnken, do të niset me raketën Falcon 9 në orën 20:33 (sipas Grinuiçit) të mërkurën nga e njëjta platformë lëshimi e përdorur nga misioni i fundit i anijes hapësinore të NASA-s në vitin 2011.
Presidenti Donald Trump dhe Nënpresidenti Mike Pence do ta ndjekin nisjen personalisht, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Për zotin Musk, për kompaninë SpaceX dhe agjencinë NASA, një fluturim i sigurt do të shënonte një moment kyç në përpjekjen për të prodhuar anijen e ripërdorshme që mund ta bëjë udhëtimin hapësinor më të përballueshëm. Elon Musk është themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kopmanive SpaceX dhe Tesla Inc.
“Bobi dhe unë kemi punuar në këtë program për pesë vjet, ditë për ditë“, tha Hurley, 53 vjeç, ndërsa ai dhe Behnken, 49 vjeç, arritën në Qendrën Hapësinore Kennedy nga Houston javën e kaluar. “Ka qenë një maratonë në shumë mënyra, dhe kjo pritej nga puna për zhvillimin e një mjeti me njerëz që mund të shkojë tek Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor dhe të kthehet që andej“.
NASA, duke shpresuar të stimulojë një treg komercial të hapësirës, i dha 3.1 miliardë dollarë kompanisë SpaceX dhe 4.5 miliardë dollarë kompanisë Boeing për të zhvilluar kapsula hapësinore konkurente, duke eksperimentuar me një model kontrate që i lejon agjensisë të blejë vende udhëtimi për astronautët nga të dyja këto kompani.
Kapsula e kompanisë Boeing, CST-100 Starliner, nuk pritet të niset me ekuipazhin e saj të parë deri në vitin 2021.
Administratori i NASA-s, Jim Bridenstine, deklaroi se misionit ishte i dhënë miratimi javën e kaluar në Qendrën Hapësinore Kennedy, pasi agjensia hapësinore dhe zyrtarët e SpaceX u mblodhën për kontrollet përfundimtare inxhinierike.
SpaceX testoi me sukses kapsulën Crew Dragon pa astronautë vitin e kaluar në misionin e saj të parë orbital në stacionin hapësinor. Kapsula u shkatërrua muajin pasues gjatë një prove në tokë kur një prej valvulave për sistemin e saj të shpëtimit shkaktoi një shpërthim. Inxhinierët zhvilluan një hetim nëntë mujor që përfundoi në janar.
Fraksion.com