Akuzat e Metës, ambasada gjermane: Ne mbështesim reformat, vendimet i marrin institucionet shqiptare
Edhe pse Presidenca ishte kujdesur ta fshinte me stilolaps, në mesazhet e publikuara mbrëmjen e së hënës, shquhej qarte dhe emri i Ambasadës gjermane.
Mesazhet e mbërritura në adresë të kreut të shtetit, datonin në kohën kur në Gjykatë Kushtetuese zhvillohej beteja mes Arta Vorpsit dhe të zgjedhurës së presidentit, Marsida Xhaferllari.
Sipas Metës, nëpërmjet mesazheve faktohej ndërhyrja e diplomatëve të huaj në politikën shqiptare dhe reformën në drejtësi.
Ai akuzoi ndërkombëtarët se kanë ndihmuar Edi Ramën, për të kapur drejtësinë e re.
A2 iu drejtua Ambasadës gjermane për një reagim mbi këtë çështje.
“Gjermania mbështet reformat e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Reforma në drejtësi është një element qendror për forcimin e shtetit të së drejtës si dhe të pavarësisë dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë.
Në mbështetjen tonë bën pjesë sigurisht dhe një shkëmbim i rregullt me partnerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Vendimet për zbatimin e agjendës së reformave merren në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vetëm nga institucionet përgjegjëse shqiptare, një pjesë e së cilave është krijuar pikërisht në kuadër të reformës në drejtësi”, thuhet në reagim.
Fraksion.com