Zëdhënësi i Putinit shërohet nga koronavirusi
Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, doli të hënën nga spitali, pasi u shërua nga koronavirusi, njoftuan mediat ruse.
Interfax citoi Peskovin të ketë thënë se ai do të qëndrojë në shtëpi edhe për dy javë të tjera.
“Tani për tani mbetem në karantinë”, tha Peskov, 52 vjeç, për agjencinë TASS.
Peskov është shtruar në spital pasi ai dhe gruaja e tij, Tatyana Navka, kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus, më 12 maj.
Navka është shëruar dhe është liruar nga spitali më 21 maj.
Peskov ka vuajtur nga pneumonia, raportoi Interfax.
Me koronavirus janë infektuar edhe zyrtarë të tjerë rusë, përfshirë kryeministrin Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova, dhe ministrin e Ndërtimit, Vladimir Yakushev.
Rusia ka konfirmuar mbi 353,400 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 3,600 viktima.
Fraksion.com