Trump paralajmëron se do ta zhvendosë konventën e partisë së tij në shtet tjetër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se mund ta zhvendosë konventën e Partisë së tij Republikane nga Karolina e Veriut, për shkak të kufizimeve nga koronavirusi atje.
Karolina e Veriut është ende në fazën e dytë të rihapjes dhe tubimet e mëdha i ka ende të ndaluara.
Konventa e Partisë Republikane është paraparë të mbahet në muajin gusht.
Pandemia e koronavirusit ka bërë që Trump dhe kandidati i pritshëm demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, t’i anulojnë tubimet e fushatave.
Disa kanë shprehur shqetësimet se konventat e partive, që zakonisht janë të mbushura me delegatë, mund të nxjerrin probleme për shëndetin.
Përmes një postimi në Twitter, Trump tha se nëse guvernatori demokrat i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, nuk përgjigjet menjëherë “nëse do ta lejojë ose jo mbushjen e hapësirës [me njerëz]”, atëherë partia e tij do të gjejë një vend tjetër për mbajtjen e konventës.
I love the Great State of North Carolina, so much so that I insisted on having the Republican National Convention in Charlotte at the end of August. Unfortunately, Democrat Governor, @RoyCooperNC is still in Shutdown mood & unable to guarantee that by August we will be allowed…
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) May 25, 2020
Zyra e guvernatorit Cooper nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të mediave për komente.
Konventa e Partisë Republikane është paraparë të nisë më 24 gusht, ndërsa ajo e Partisë Demokratike më 17 gusht në Uiskonsin.
Në këto konventa konfirmohen kandidatët e dy partive për president.
Zgjedhjet në SHBA pritet të mbahen në nëntor, ndërsa Trump do të garojë për rizgjidhje.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të prekurve me koronavirus: mbi 1.6 milion të infektuar dhe mbi 97,000 të vdekur.
Fraksion.com