AktualitetDialogKosovaTë fundit

SHBA-ja dhe BE-ja për dialogun: Strategji të ndryshme për detyrën e njëjtë

Është shumë e rëndësishme dhe një hap i madh që dy ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës kanë përcaktuar koordinatat për rivendosjen e negociatave për marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha për Radion Evropa Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit nga Berlini.

Deklarata i referohet një letre të hapur, të publikuar nga ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës më 23 maj.

Heiko Maas dhe Jean Yves Le Drian kanë deklaruar se para se të arrihet një marrëveshje, shumë çështje të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen.

“Nuk ka shkurtime ose zgjidhje të shpejta. Kërkohet një qasje serioze dhe negociata të strukturuara mirë me Bashkimin Evropian si ndërmjetës të sinqertë”, kanë thënë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës.

“Unë e shoh këtë si një hap domethënës përpara dhe, tani e tutje, të gjithë duke filluar nga zoti Grenell [Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi], partitë qeverisëse në Kosovë, madje edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të duhet të pozicionohen kundër këtij kuadri serioz të ekspozuar për rivendosjen e dialogut”, tha Weber.

Nënvizimi i rolit të përfaqësuesit të BE-së, Lajçak

“Ne kemi nevojë për angazhim më të fortë në ndërmjetësim dhe vendosmëri politike. Të dyja këto mund të priten nga Mirosllav Lajçak [përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi] dhe ekipi i tij, me mbështetjen e përfaqësuesit të lartë [të BE-së], Borell, si dhe të Berlinit dhe Parisit,” thuhet në letrën e hapur të ministrit gjerman dhe atij francez.

Sipas tyre, tani që Lajçak ka marrë detyrën, është koha për të rifilluar dialogun dhe Franca dhe Gjermania janë të gatshme t’i ofrojnë Lajçakut dhe ekipit të tij një mbështetje të fortë politike, diplomatike dhe ekonomike.

Qëllimi është të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e cila rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.

A i referohet letra Grenellit?

Në letër, dy ministrat nuk përmendin bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në atë proces, do të thotë me të dërguarin special të presidentit amerikan për dialog, Richard Grenell. Weber tha se letra, në mënyrë jodirekte i referohet Grenellit.

“Është shumë indikative. Ajo letër iu referua disa proceseve politike që lidhen me veprimet e zotit Grenell dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke kritikuar se në një kohë pandemie nuk është koha për ndarje të brendshme, kjo pjesë është shumë thelbësore në letrën e ministrave – se nuk ka rregullime të shpejta, porse është e nevojshme një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura – indirekt iu referua shumë qartë veprimeve të zotit Grenell dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Weber.

I dërguari amerikan në lëvizje

Nga zyra e Grenellit nuk kanë dashur të komentojnë për qëndrimet e ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Grenell do të mbetet i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi dhe se ai “po pret për diskutimin e ardhshëm për dialogun, sapo të përcaktohet përbërja e qeverisë së (Kosovës)”. Këto komente Custin i bëri pasi mediat raportuan se Grenell do të tërhiqet nga posti i ambasadorit në Gjermani.

Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se administrata e Donald Trumpit po përpiqet të arrijë një marrëveshje me çdo kusht para zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, duke mos pasur shumë kujdes në përmbajtjen e asaj marrëveshjeje.

“Është e qartë se Grenell është me nxitim të madh. Ambasadori amerikan në Serbi e përshkroi atë me fjalë të shkurta si një ‘njeri shumë energjik’, gjë që është e pazakontë. Unë këtë e interpretoj si një burrë që dëshiron të arrijë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me çdo kusht, pavarësisht nga cilësia e kësaj marrëveshjeje apo nëse është në interesin afatgjatë amerikan. Është shumë e rëndësishme të theksohet se a janë Grenell dhe ambicia politike e administratës së Trumpit në përputhje me interesat amerikane? Të them më saktë, ajo marrëveshje a do të çojë drejt stabilizimit apo drejt destabilizimit shtesë?”, tha Joseph.

“Angazhimi i deritanishëm i Grenellit pa Brukselin si partner do të thotë se Uashingtoni do të marrë përsipër barrën e zbatimit të asaj marrëveshjeje në rajon, në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë angazhuar bashkërisht në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të rëndësishme”, shtoi ai.

Bodo Weber tha se është e qartë se nuk ka bashkëpunim në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me çështjet e negociatave për marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë që nga emërimi i Grenellit si i dërguar special, në tetor të vitit 2019.

Fryma e re e administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Sipas tij, minimi i rolit drejtues të BE-së në atë proces ka filluar me ”letrat e qëllimeve” në mes të Kosovës dhe Serbisë për krijimin e një linje ajrore dhe hekurudhore, si dhe për ndërtimin e autostradave, të cilat u arritën nën kujdesin e Grenellit, e në të cilat Bashkimi Evropian nuk ishte i përfshirë.

Ai shtoi se përkundër lidhjeve tradicionale në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ”kjo administratë e Trumpit nuk vepron aspak në frymën politike të administratave të mëparshme që mbështesnin pavarësinë e Kosovës”.

“Nëse me të vërtetë ekziston insistimi i liderëve politikë, të cilët do të marrin pushtetin në Kosovë, që administrata e Trumpit, përkatësisht zoti Grenell duhet të udhëheqë dialogun dhe jo Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [që aspirojnë të formojnë qeverinë e re] nuk e mbështesin shkëmbimin e territoreve apo ndarjen e Kosovës, mbetet të shihet se për çfarë shërben ky dialog paralel, i cili udhëhiqet nga zoti Grenell, a është i udhëhequr me të vërtetë nga interesat dhe motivet ekonomike?”, tha Weber.

“Në atë rast, kam frikë se ky dialog nuk do të çojë askund. Mosmarrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet ekonomikisht, sepse nuk është një konflikt ekonomik. Nëse do të ngjallen dyshimet nga ana e akterëve politikë dhe analistëve se në negociatat e fshehta të Grenellt me dy presidentët është bërë edhe një përpjekje tjetër për të nxitur shkëmbimin e territoreve, unë mendoj se atëherë do të shohim një vjeshtë shumë të nxehtë politike”, tha Weber.

Çfarë duhet të dini për krizën politike në Kosovë?

Të kujtojmë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më parë se Grenell ishte përfshirë direkt në përmbysjen e qeverisë së tij më 25 mars, vetëm sepse “Grenell është në nxitim për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë” deri në shtator dhe se marrëveshja që Grenell kërkon përfshin shkëmbim territoresh.

Sidoqoftë, Grenell, menjëherë pas deklaratës së Kurtit, ka thënë se “nuk kishte asnjë bisedë për shkëmbim territoresh – nuk u diskutua në praninë time”.

Në anën tjëtër, në rolin kryesor amerikan në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë insiston presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më parë ka deklaruar se, derisa Bashkimi Evropian dëshiron të marrë pjesë në proces, ai së pari duhet të heqë vizat për Kosovën.

Ai gjithashtu ka kundërshtuar emërimin e Lajçakut, duke thënë se ai nuk është i besueshëm për këtë proces.

Se kush do të udhëheqë dialogun në të ardhmen, për sa i përket Kosovës, varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të merret këtë javë.

Gjykata duhet të japë vendimin e saj nëse Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i caktuar si mandatar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të formojë qeverinë e re pas rënies së qeverisë Kurti me anë të votimit të mocionit të mosbesimit, më 25 mars.

Kurti beson se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë dhe se çdo formim i një qeverie, e cila nuk i ka fituar zgjedhjet, është antikushtetues./REL

 

Fraksion.com