Raportohet se Grenell do të dorëhiqet nga posti i ambasadorit në Gjermani
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, Richard Grenell po planifikon që të dorëhiqet nga kjo pozitë në javët e ardhshme, dy vjet pasi mori këtë post, raportoi sot agjencia gjermane e lajmeve, Dpa duke u thirrur në burime.
Robin Quinville, që është zëvendësambasador, pritet që të bëhet ushtrues detyre i ambasadorit, raporton Dpa.
Ky lajm vjen disa ditë pasi Senati amerikan konfirmoi John Ratcliffe, në postin e drejtorit të agjencisë kombëtare të inteligjencës. Në muajin shkurt, presidenti amerikan, Donald Trump emëroi ambasadorin Grenell ushtrues detyre të shefit të kësaj agjencie.
Një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Gjermani refuzoi të konfirmojë apo të pohojë se Grenell do të tërhiqet nga posti i ambasadorit.
Ambasadori Grenell është po ashtu i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Fraksion.com