AktualitetBota+Të fundit

Sfidat e industrisë së udhëtimeve pas heqjes së masave kufizuese

Udhëtimi jashtë vendit dikur ishte relativisht i lehtë. Pasi zgjidhej një vend, duhej të aplikoni për vizë nëse ishte e nevojshme, blini një biletë avioni, rezervoni hotelin dhe ishit gati për të udhëtuar. Por, ndërsa vendet po heqin ngadalë masat kufizuese të koronavirusit, ekspertët e industrisë së udhëtimit thonë se udhëtimet për pushime do të rikthehen me një ritëm më të ngadaltë dhe një përvojë e ndryshme, veçanërisht me kufizime të ndryshme që janë akoma në fuqi.

Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar gjithçka, përfshirë udhëtimet me avion.

Ndërsa vendet fillojnë të rihapen për vizitorët, ekspertët e industrisë thonë se do të marrë kohë për t’u përshtatur me normalitetin e ri.

“Unë mendoj se njerëzit duan të udhëtojnë dhe ata po shohin nga afër destinacionet në të cilat duan të rikthehen dhe masat që po merren për rihapjen. Por unë mendoj se udhëtimet ndërkombëtare në fillim do të jenë të vështira.”

Sipas të dhënave nga viti 2017, dhjetë destinacionet më të preferuara për amerikanët përfshijnë Meksikën, Kanadanë, Britaninë, Republikën Dominikane, Francën, Italinë, Gjermaninë, Spanjën, Xhamajkën dhe Kinën.

Por shumica e këtyre vendeve tani kanë kufizime, duke përfshirë mos pranimin e turistëve ose vendosjen e tyre në karantinë pas mbërritjes në vend.

“Aktualisht në Britani kemi një karantinë dy-javore, që është për të ardhur keq. Kjo do të thotë që nëse mbërrini atje, ju duhet të kaloni 14 ditë në karantinë, që ne mendojmë se nuk ka logjik dhe kjo masë ndoshta ka qenë e suksesshme në fillim të pandemisë. Por bazuar në përvojën dhe ato që kemi parë në vende të tjera, duket se testimet janë më të logjikshme në këtë rast”, tha Gloria Guevara, drejtore ekzekutive e Këshillit Botëror të Turizmit të Udhëtimeve.

Përveç kësaj, Departamenti i Shtetit ka ende në fuqi një paralajmërim shëndetësor që i bën thirrje amerikanëve “të mos udhëtojnë”.

Kjo po dëmton gjithashtu punonjësit e industrisë së udhëtimit, thotë Kibret Woldearagay nga Agjencia e Udhëtimit Fana.

“Biznesi ynë ka rënë 98 ose 99 për qind. Unë do të thosha 100 për qind në tre muajt e fundit. Nuk ka asgjë. Nuk po marrim telefonata. Ata që po na telefonojnë kërkojnë kthimin e parave për biletat që kanë blerë kohë më parë”, tha Kibret Woldearagay, pronar i Agjencisë së Udhëtimit Fana në Virxhinia.

Një pjesë e njerëzve kanë frikë dhe madje edhe nëse rifillojnë përsëri udhëtimet, do të jetë një përvojë ndryshe thotë Peter Cerda nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror.

“Ne jemi mësuar të shohim mbi 200,000 fluturime në ditë, të sigurta, efikase, dhe me nivele të ndryshme të rehatisë. Por kjo do të jetë ndryshe të paktën për të ardhmen e afërt”, tha Peter Cerda, nënpresident rajonal i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror.

Ndërsa udhëtimet me avionë rifillojnë, pasagjerët do të duhet të mësohen me masa të reja si kontrollimi i temperaturës, distancimi fizik, përdorimi maskave dhe shërbimet më të thjeshta në bord./voa

 

Fraksion.com