“Basha rikthehet në tryezë”; Rama, Ambasadorja Kim dhe Soreca, përshëndesin vendimin
Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot vendimin e Bashës, duke theksuar se, “kthimi i opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Reformës Zgjedhore një kthesë për t’u përshëndetur! Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus”.
Edhe ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim ka përshëndetur vendimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha për të përfunduar Reformën Zgjedhore. “Ne mirëpresim vendimin e Kryetarit të PD-së Lulzim Basha për të përfunduar reformën zgjedhore. Ne presim të shohim edhe liderët e tjerë të shfaqin udhëheqësi të ngjashme”, shprehet ambasadorja Kim.
Edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka reaguar pas vendimit të kreut të PD për t’u rikthyer në tryezën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.
Soreca thekson se, “e mirëpresim vendimin e Lulzim Bashës për të rifilluar punën ndër-partiake për Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik. Ajo shërben për interesin më të lartë të shqiptarëve dhe kontribuon për të përfunduar këtë reformë të rëndësishme pa vonesë, në mënyrë që të përmbushë kushtin e vendosur marsin e kaluar nga Bashkimi Europian”.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se “nuk ka asnjë qëndrim të ndryshëm nga qëndrimi që ka bërë të njohur në emër të Opozitës së Bashkuar, kryetari i PD-së”, duke shtuar se “përmbushja e të gjitha detyrimeve ndaj reformës zgjedhore ka qenë dhe mbetet prioriteti im ndaj do të vazhdoj të bëj të gjithë presionin e nevojshëm, që ajo të realizohet me konsensus dhe sa më parë, si kusht i rëndësishëm për të rikthyer legjitimitetin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë”.
Fraksion.com